Një variant i ri i Covid-it mund të bëhet së shpejti dominues, duke nxitur ekspertët të kërkojnë përfshirjen e vaksinimit në programet për fëmijët parashkollorë.
I quajtur “Cicada”, varianti BA.3.2 është përhapur me shpejtësi në SHBA dhe është identifikuar tashmë në dhjetëra vende, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Ekspertët shqetësohen se mutacionet e tij mund ta ndihmojnë virusin të shmangë mbrojtjen imunitare të krijuar nga vaksinat ekzistuese.
Simptomat mbeten të ngjashme me ato të mëparshmet – lodhje e theksuar, temperaturë dhe dhimbje trupi – por duket se fëmijët e moshës shkollore janë më të prekshëm nga ky variant.
Profesori Stephen Griffin nga Universiteti i Leeds-it thekson se përhapja aktuale nuk duket si një valë e shpejtë, por më tepër si një rritje graduale. Megjithatë, ai paralajmëron se sa më shumë infeksione të ketë, aq më e madhe është mundësia për mutacione të reja.
Ai kritikon qasjen e mëparshme për ta bërë vaksinimin e fëmijëve opsional, duke argumentuar se rreziku i riinfektimit dhe “Covid-it të zgjatur” tek të rinjtë nuk është marrë mjaftueshëm në konsideratë. Sipas tij, vaksinat kundër Covid-it duhet të përfshihen në kalendarin e rregullt të imunizimit për fëmijët parashkollorë, me përforcues (booster) të rregullt, të ngjashëm me vaksinën e gripit.
Analizat tregojnë se proteina “spike” e këtij varianti ka pësuar rreth 75 mutacione, çka e bën atë një sfidë të re për sistemin imunitar.
Megjithatë, profesor Paul Hunter, mikrobiolog, thekson se shfaqja e varianteve të reja është e pritshme dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e vdekjeve. Sipas tij, edhe nëse një variant i ri përhapet më shpejt, kjo nuk nënkupton automatikisht pasoja më të rënda për shëndetin publik.
Ekspertët vënë në dukje se, megjithëse vaksinat kanë ulur ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes, mbrojtja është më efektive kur vaksinimi është i freskët. Rënia e shkallës së vaksinimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm.
Aktualisht, nuk ka shenja se bota është në prag të një pandemie të re, por rritja e rasteve mund të shkaktojë sërish probleme në shkolla, sistemin shëndetësor dhe transportin publik.
Sipas të dhënave të fundit, përqindja e rasteve të lidhura me këtë variant mbetet e ulët dhe numri total i infektimeve është ende në nivele të kontrolluara. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...