Varhelyi zbeh “lavdet” e senatorit amerikan për luftën kundër korrupsionit në Kosovë - Gazeta Express
string(82) "varhelyi-zbeh-lavdet-e-senatorit-amerikan-per-luften-kunder-korrupsionit-ne-kosove"

Varhelyi zbeh “lavdet” e senatorit amerikan për luftën kundër korrupsionit në Kosovë

Gazeta Express

25/05/2023 16:18

Senatori amerikan, Chris Murphy i cili viziton herë pas here Kosovën ka pasur shumë fjalë të mira për Qeverinë e Kosovës kur ka folur për luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik. Citatet e tij janë shfrytëzuar edhe nga partia në pushtet për marketing partiak. Megjithatë pasqyrë të njëjtë  s’ka pasur Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, i cili ka kërkuar vullnet me të fortë nga Qeveria për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë përdorur për marketing partiak një deklaratë të senatorit amerikan, Chris Murphy, i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë ka lavdëruar qeverinë e Kosovës për luftën kundër korrupsionit dhe për rritjen ekonomike. Zyrtarë të VV’së në mënyrë indirekte kanë kritikuar edhe mediat, duke pretenduar se një deklaratë e tillë e senatorit amerikan nuk është dhënë në lajme.

”Ju e keni bërë luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e shtetit ligjor karakteristikë të qeverisjes suaj dhe nuk është rastësi që për shkak të kësaj keni parë kaq rritje të jashtëzakonshme ekonomike, rritje të të ardhurave nga taksat dhe rritje të investimeve të huaja”, ka thënë senatori Murphy gjatë një konferencë për media.

Megjithatë pasqyrë të njëjtë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar s’ka pasur Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Zyrtari i Lartë i BE-së ka thënë se sa i përket luftës kundër korrupsionit duhet një vullnet i fortë për të adresuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe nxjerrja e vendimeve të duhura nga gjykatat për të bërë edhe konfiskime.

Varhelyi ka thënë se Brukseli pret që politikat për të cilat është zotuar Qeveria Kurti edhe të zbatohet.

“Në aspektin e luftimit të korrupsionit nevojitet një vullnet i fortë për të adresuar rastet e nivelit të korrupsionit të lartë dhe duhet të nxirren disa vendime të duhura nga gjykatat edhe për të bërë konfiskime. Natyrisht që të kemi angazhimin e sundimit të ligjit. Kemi zotimin e Qeverisë, presim që politikat e dizajnuara të bëhen në zbatim. Kosova është në fazë të hershme, por ka ndërmarrë edhe disa operacione të suksesshme”, ka thënë Varhelyi.

Se Kosova gjendet në një fazë të hershme të luftimit të krimet të organizuar dhe korrupsionit e kishte konstatuar edhe Raporti për Vendin i publikuar në tetor të vitit 2022. Aty thuhej se sa i përket kësaj fushe është arritur “një lloj progresi”.

Përveç kësaj, vlerësohej se sistemi gjyqësor ishte treguar i ngadalshëm dhe joefikas. Derisa i ishte tërhequr vërejtja Qeverisë për të implementuar në tërësi vendimin e Komisionit të Venecias për draft-propozimet për reformën në drejtësi./GazetaExpress/