Një grua ka vdekur dhe dy të tjera janë lënduar pas një serie të sulmeve me thika në orët e vona të natës në jug të Norvegjisë.
Raportimet e para për sulme erdhën pak para mesnatës në qytetin Sarpsborg, që shtrihet në jug të kryeqytetit Oslo, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Policia e ka arrestuar një qytetar norvergjez të moshës 31-vjeçare, i cili ka të kaluar kriminale. Sipas një deklarate për gazetarë, sulmuesi kishte një marrëdhënie me dy gratë e plagosura, por jo me gruan e vrarë.
Policia njoftoi se viktima ishte në vitet e pesëdhjeta. Një grua tjetër është lënduar rëndë, ndërsa personi i tretë ka pësuar lëndime më të lehta.
Mediet lokale raportuan se në vendin e ngjarjes kanë shkuar policë të armatosur, helikopterë dhe nëntë auto-ambulanca.
Policia e bllokoi qendrën e qytetit dhe përmes rrjeteve sociale kërkoi nga banorët që të qëndrojnë brenda.
Njëra nga gratë u plagos në stacionin qendror të autobusëve, përderisa ishte duke pritur në veturë, ndërsa tjetra u plagos në shtëpi.
Policia i ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast dhe ka bërë thirrje që dëshmitarët e mundshëm t’i paraqesin informatat që kanë.