Sulmuesi anglez Jamie Vardy ka dhënë konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i Cremoneses, pasi iu bashkua skuadrës së sapongjitur në Serie A këtë verë.
Vardy u largua nga Leicester City pasi i skadoi kontrata dhe u bashkua me ekipin e Davide Nicola-s si lojtar i lirë, në një transferim që u shoqërua me shumë bujë dhe festime.
Duke folur për mediat, përmes kanalit zyrtar të Cremoneses në YouTube, Vardy tha se “pata mundësinë të lidhesha në një thirrje Zoom me Nicola-n, ku folëm për 45 minuta deri në një orë. Ai tregoi pasionin për klubin dhe dëshirën për të ecur përpara. Vetëm duke i parë sytë dhe çfarë donte, më bëri shumë përshtypje. Si futbollist, është gjithmonë ndjesi e mirë kur ndihesh i dëshiruar.”
Vardy sheh ngjashmëri mes Cremoneses dhe Leicesterit
Vardy u pyet gjithashtu nëse shihte ndonjë ngjashmëri mes Cremoneses dhe ish-klubit të tij Leicester City, me të cilin fitoi titullin e Premier League si nënvlerësuar i madh, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të suksesit.
“Mendoj se pasi u ula me trajnerin dhe pronarin, detyra kryesore është të sigurojmë mbijetesën në ligë. Për të qenë i sinqertë, ashtu ishte edhe te Leicester. Nuk pati kurrë ‘do të synojmë këtë apo atë’, gjithmonë ishte ‘na duhet të qëndrojmë në ligë’. Ky ishte prioriteti,” – vazhdoi sulmuesi.
Ai theksoi rëndësinë e të menduarit ndeshje pas ndeshjeje kur je pjesë e një klubi të vogël.
“Ditë normale ndeshjeje janë gjithmonë 11 kundër 11 dhe kushdo mund të mposhtë këdo. Kështu që ne do të punojmë sa më shumë në stërvitje për të qenë gati për çdo ndeshje që vjen. Do t’i marrim një e nga një dhe të shohim ku do të na çojë.”
Vardy: “Cremonese do të jetë ‘underdog’ që habit të gjithë”
Më pas, Vardy u pyet se çfarë konkretisht e bindi të zgjidhte Cremonesen dhe çfarë i tha Davide Nicola për ta bindur. “Mendoj se për mua personalisht, gjatë gjithë karrierës kam qenë gjithmonë i dyshuar. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë,” – pranoi ai.
“Duke folur me trajnerin, ka pasur shumë dyshime në Itali nëse Cremonese mund të qëndrojë në ligë. Por me pasionin dhe etikën e punës që ka ai, kjo nuk është ajo që ai do. Mënyra si e ka nisur ekipi është e pabesueshme. E dimë që është një sezon i gjatë, por roli që ai dëshiron është të jemi ‘underdogs’ që arrijnë më shumë sesa pritet.”
Maresca, kyç për vendimin e Vardyt
Vardy gjithashtu zbuloi se trajneri i Chelseat, Enzo Maresca – me të cilin kishte punuar te Leicester – luajti një rol vendimtar në zgjedhjen e tij për t’u transferuar në Serie A.
“Arrita të bisedoja shumë mirë me të sapo e dinim që kjo mund të bëhej realitet, dhe ai nuk bëri gjë tjetër veçse foli me superlativa për klubin dhe zonën përreth. Cremona si qytet, gjithçka. Këshilla e tij për mua ishte që të vija këtu, dhe kjo ishte e gjitha. Pasi e tha këtë dhe pasi fola me familjen time, nuk kishte më dyshime – kishte vetëm një vend ku do të shkoja.” /GazetaExpress/
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...