Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka publikuar një sërë rekomandimesh për mbrojtjen e qytetarëve dhe punonjësve gjatë valës së temperaturave të larta që parashikohet të zgjasë nga data 22 deri më 25 korrik.
MSH-ja ka bërë të ditur se të gjitha institucionet publike dhe private këshillohen të zbatojnë masa të veçanta për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punonjësve.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftim.
MSH-ja kërkon nga institucionet që të sigurojnë ajrosje të mirë në hapësirat e mbyllura të punës, si dhe të krijojnë pika freskimi në vendpunishtet e hapura ku punëtorët të kenë qasje në hije dhe ujë të ftohtë.
Këto janë masat mbrojtëse që rekomandon MSH-ja:
Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;
1.2 Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6;
1.3 Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;
1.4 Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;
1.5 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;
1.6 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera
për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët;