Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance ka deklaruar se si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë paraqitur propozimet e tyre për zgjidhjen e konfliktit dhe se aktualisht është në zhvillim një përpjekje për të gjetur një pikë të përbashkët që mund të çojë drejt një marrëveshjeje paqeje.
“Ajo që kemi parë gjatë dy javëve të fundit–tha Vance–është se të dyja palët kanë dalë me propozimet e tyre të paqes. Ukrainasit kanë bërë propozimin e tyre. Rusët po ashtu. Tani, pyetja që shtrohet është: a mund të gjejmë një rrugë të mesme për t’i dhënë fund këtij konflikti?”
Deklarata vjen në një moment të ndjeshëm të luftës, teksa komuniteti ndërkombëtar është gjithnjë e më i përfshirë në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve që prej shkurtit të vitit 2022 kanë shkaktuar mijëra viktima dhe zhvendosur miliona njerëz.
Ende nuk janë bërë publike detajet konkrete të këtyre propozimeve, por sinjalet nga të dyja palët për gatishmëri për dialog janë parë si një hap i parë i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit.