Valencia e mundi Barcelonën pas 13 viteve, fërkon duart Real Madridi


Gazeta Express
25 Janar 2020 17:58

Valencia e ka mposhtur 2-0 Barcelonën pas 13 vitesh në ‘Mestalla’. Gabimin e Barçës do të tentojë ta shfrytëzojë tani Reali, për t’u shkëputur në tre pikë në renditjen e La Ligës.

Barcka ka pësuar humbjen e katërt në La Liga për sezonin 2019/20.

Skuadra e Quique Setien është mposhtur 2-0 nga Valencia në ‘Mestalla’, sfidë e vlefshme për xhiron e 21 në La Liga.

Vendasit dukeshin skuadër tjetër sonte, pavarësisht formës së dobët në takimet e fundit, duke i dhënë fund vuajtjeve 13 vjeçare pasi fitorja 2-0 kundër Barçës në shtëpi erdhi pas shumë e shumë takimeve.

Valencia kishte mundësinë që të shkojë në epërsi që në fillim të ndeshjes, por nga pika e bardhë, nuk u tregua i saktë Maxi Gomez, goditjen e të cilit e ndali Marc-Andre Ter Stegen.

Sido që të jetë, gjithçka ndryshoi me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 49’, Jordi Alba aksidentalisht e dërgoi topin në portën e tij, për rezultatin 1-0.

Derisa Barcelona u mundua të rikthejë situatën në favorin e saj, erdhi goditja e madhe në minutën e 77’, Maxi Gomez shënoi për rezultatin përfundimtar 2-0.

Nga ky gabim i Barcelonës, do të tentojë të përfitojë Real Madridit, që mund të shkëputet në tre pikë në rast të fitores të dielën mbrëma, në udhëtim te Real Valladollid. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart