string(97) "vale-nacionaliste-ne-poloni-cfare-do-te-thote-fitorja-e-aleatit-te-trump-per-evropen-dhe-ukrainen"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 10:43

Valë nacionaliste në Poloni: Çfarë do të thotë fitorja e aleatit të Trump, për Evropën dhe Ukrainën?

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 10:43

Në një votim që sinjalizon një rikthim të populizmit të djathtë në zemër të Evropës, historiani konservator dhe nacionalisti i zjarrtë, Karol Nawrocki është zgjedhur president i ri i Polonisë.

Ai do të marrë detyrën më 6 gusht dhe pritet të ndikojë ndjeshëm në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, duke vënë në provë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe duke u afruar më shumë me administratën e Donald Trump në SHBA.

Associated Press, ka shkruar një analizë rreth asaj se çfarë do të thotë zgjedhja e tij për BE-në dhe Ukrainën.

Rikthimi i populizmit konservator

Fitorja e Nawrockit thekson përçarjet e thella sociale dhe forcimin e ndjenjës nacionaliste në Poloni, ku një pjesë e madhe e elektoratit përkrah vlera tradicionale katolike dhe mbrojtjen e sovranitetit kundër ndikimit të BE-së dhe Gjermanisë.  Qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, kandidatët e ekstremit të djathtë patën mbështetje të konsiderueshme, e cila vazhdoi edhe në raundin përfundimtar duke sjellë fitore për Nawrockin.

Sfida për kryeministrin Tusk

Presidenca e Nawrockit do të përbëjë sfidë të madhe për kryeministrin pro-evropian Donald Tusk, i cili është kthyer në pushtet me premtimin për të riparuar marrëdhëniet me BE-në dhe për të rikthyer pavarësinë e gjyqësorit. Megjithatë Nawrocki, me të drejtën e vetos, mund të bllokojë reformat që Tusk përpiqet të kalojë, si ato për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ apo edhe ligjin për abortin.

Marrëdhënie më të ngushta me Trump

Nawrocki ka një pikëpamje shumë të ngjashme me atë të Trump dhe është takuar me ish-presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë pak para zgjedhjeve. Kjo sinjalizon mundësinë e një aleance më të fortë mes dy vendeve.

Ndryshim i qëndrimit ndaj Ukrainës

Edhe pse shprehet pro mbrojtjes së Ukrainës kundër Rusisë, Nawrocki nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe ka shfaqur dyshime për ndihmën afatgjatë, veçanërisht për refugjatët. Ai ka kritikuar presidentin Zelenskyy për mungesë mirënjohjeje ndaj Polonisë, duke reflektuar një lodhje të publikut ndaj konfliktit dhe ndihmës së vazhdueshme.

Përplasjet me BE-në dhe pasiguri në tregje

Fitorja e tij poashtu po shihet si një goditje për përpjekjet e BE-së për ta afruar Poloninë me standardet e saj, sidomos në çështjet e sundimit të ligjit. Pas zgjedhjeve, monedha kombëtare, zloty, pësoi rënie, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për qëndrueshmërinë politike dhe për financimet e lidhura me reformat gjyqësore, të cilat tani janë në rrezik pa mbështetjen e presidentit të ri.