Një dozë e vaksinës Pfizer për Covid duket se shkakton më pak komplikime të zemrës tek fëmijët sesa nëse ata infektohen me virusin, sugjerojnë studimet e reja.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh për miokarditin dhe perikarditin, komplikacione jashtëzakonisht të rralla të vaksinës që shkaktojnë inflamacion të muskulit të zemrës dhe të mbështjellëses së saj. Të rrezikuar më së shumti janë të rinjtë, sidomos djemtë.
Hulumtimi i fundit ka analizuar të dhënat shëndetësore të afërsisht 14 milion fëmijëve dhe ka gjetur se pas gjashtë muajsh, infektimi me Covid shkakton 2.24 raste shtesë të miokarditit ose perikarditit për çdo 100,000 fëmijë.
Nga ana tjetër, tek ata që morën vaksinën Pfizer, shifra ishte vetëm 0.85 raste shtesë për 100,000 fëmijë.
“Pas diagnostikimit me Covid, rreziku i kushteve inflamatore ishte rreth 15 herë më i lartë gjatë javëve të para,” tha profesoresha Angela Wood, eksperte e sëmundjeve kardiake në Universitetin e Cambridge dhe bashkëautore e studimit.
“Pas vaksinimit, rreziqet ishin pak më të ulëta se nivelet normale, gjë që mund të pasqyrojë efektin mbrojtës të vaksinës.”
Profesorja Pia Hardelid, eksperte e epidemiologjisë në University College London, shtoi:
“Prindërit dhe kujdestarët janë përballur me zgjedhje të vështira gjatë pandemisë. Me të dhëna të forta mbi infektimin dhe vaksinimin, shpresojmë të ndihmojmë familjet dhe profesionistët e shëndetësisë të marrin vendime të informuara.”
Ekspertët nënvizojnë se megjithëse vaksinat mund të shkaktojnë efekte të rralla anësore, rreziku i problemeve të zemrës pas sëmundjes është shumë më i lartë.
Studimi, botuar në The Lancet Child and Adolescent Health, konfirmon se fëmijët që morën vaksinën patën vetëm një rrezik të shkurtër për miokardit ose perikardit gjatë katër javëve të para pas vaksinimit, ndërsa pas kësaj periudhe rreziku u kthye në nivelet normale.
Për shumë ekspertë, gjetjet mbështesin strategjinë e shëndetit publik për vaksinimin e fëmijëve dhe të rinjve, për të reduktuar rreziqet më të shpeshta dhe më të qëndrueshme që lidhen me infektimin.
Në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht të drejtën për dozën përforcuese të dimrit e kanë vetëm personat mbi 75 vjeç, ata midis 6 muajsh dhe 74 vjeç me sistem imunitar të dobësuar, si dhe banorët e shtëpive të kujdesit. /GazetaExpress/
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...