Një studim i madh sugjeron se djemtë që marrin vaksinën kundër HPV-së mund të ulin pothuajse përgjysmë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.
Studiuesit zbuluan se meshkujt që kanë marrë versionin më të ri të vaksinës kanë shumë më pak gjasa të preken nga kancere të lidhura me virusin, përfshirë ato të kokës, qafës dhe penisit.
Studimi, i publikuar në JAMA Oncology, analizoi të dhënat shëndetësore të më shumë se tre milionë të rinjve. Rezultatet treguan se ata që morën vaksinën që mbron ndaj nëntë tipeve të virusit kishin 46% më pak rrezik për kanceret e lidhura me HPV në përgjithësi.
Në terma konkretë, rreziku ra nga rreth 12.5 raste për 100,000 meshkuj të pavaksinuar në 7.8 raste për 100,000 tek ata që ishin vaksinuar. Efekti mbrojtës u vu re si tek adoleshentët, ashtu edhe tek të rinjtë.
Virusi papilloma njerëzor (HPV) është shumë i përhapur dhe transmetohet përmes kontaktit lëkurë më lëkurë. Edhe pse shpesh është i padëmshëm, ai mund të shkaktojë sëmundje serioze dhe lidhet me disa lloje kanceri, përfshirë ato të zonës gjenitale, anusit, kokës dhe qafës, si dhe kancerin e qafës së mitrës tek gratë.
Deri tani, shumica e provave për efektin mbrojtës të vaksinës janë fokusuar tek gratë, veçanërisht për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Ndërkohë, studimet tek meshkujt shpesh kanë analizuar vetëm uljen e infeksioneve, jo drejtpërdrejt parandalimin e kancerit.
Ky studim i fundit krahason drejtpërdrejt meshkujt e vaksinuar me ata të pavaksinuar, duke ofruar prova më të forta se vaksina mund të mbrojë edhe meshkujt nga kanceri.
Megjithatë, në shumë vende vaksina ende ofrohet kryesisht për vajzat. Shkencëtarët theksojnë se përfshirja e djemve në programet e vaksinimit do të ndihmonte në uljen e përhapjes së virusit, mbrojtjen direkte të meshkujve dhe përshpejtimin e rënies globale të kancereve të lidhura me HPV.
Studiuesit paralajmërojnë se rastet e kancerit tek meshkujt e rinj janë ende relativisht të rralla dhe jo të gjitha lidhen me HPV-në. Ata theksojnë gjithashtu se nevojiten studime afatgjata për të kuptuar plotësisht efektin e vaksinës.
Në Mbretëria e Bashkuar, që nga viti 2019, programi i vaksinimit është zgjeruar për të përfshirë edhe djemtë 12–13 vjeç, duke ofruar mbrojtje më të gjerë ndaj kancereve të lidhura me HPV.
Gjithashtu, meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj deri në moshën 45 vjeç mund ta marrin vaksinën falas në klinikat e shëndetit seksual dhe HIV-it.
Seksit oral konsiderohet një faktor kryesor rreziku për kancerin e fytit të lidhur me HPV, veçanërisht për shkak të transmetimit të tipeve me rrezik të lartë si HPV-16. Edhe pse shumë njerëz infektohen, shumica e pastrojnë virusin natyrshëm, ndërsa një pjesë e vogël zhvillon infeksione të vazhdueshme që mund të çojnë në kancer me kalimin e kohës. /GazetaExpress/
Një qasje e re investimi me Next to Vala Mar Premium Në një treg imobiliar që evoluon vazhdimisht, investitorët...