Vajza të cilës ia vranë gjithë familjen në masakrën e Krushës: Unë sot nuk shkoj te varret e tyre… - Gazeta Express

Vajza të cilës ia vranë gjithë familjen në masakrën e Krushës: Unë sot nuk shkoj te varret e tyre…

Lajme

Gazeta Express

26/03/2020 9:28

Po e mban gjithë dhimbjen brenda vetes dhe katër mureve në të cilat është vetizoluar tash e disa javë një vajzë e re nga Krusha e Madhe. Historia e saj është e dhimbshme. Në masakrën e 25 marsit të vitit 1999 asaj iu vranë 15 anëtarë të familjes së ngushtë nga forcat serbe.

Por, kjo vajzë sot ka treguar trimëri. Me lot, dhembje e mall, ka qëndruar e mbyllur në shtëpinë e saj duke mos shkuar kështu as deri tek varri i familjarëve të saj në përvjetorin e vrasjes së tyre, duke thënë se keshtu po vepron për t’u mbrojtur nga virusi Covid-19.

Kjo vajzë sot bën thirrje te të gjithë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të përfundojë koronavirusi.

Lexojeni të plotë statusin e saj të bërë në rrjetet sociale:

Unë, as sot s’kam me dal edhe pse SOT kam përvjetorin e vrasjes së 15 anëtarëve të familjes, në Krushë të Madhe, unë do mbyllem brenda, edhe pse varret, rrugët, shtëpitë ku u vranë sot kanë pritur vizitorë- këta pak të gjallë që kemi mbetur.

Është hera e parë që prej 21 viteve që Krusha sot hesht dhimbshëm. Sot, dora-dorën nuk shtrëngon, sytë përlotur vështrimin më se hedhin te tjetri për t’ia pashitur dhimbjen e mallin, varret sot ftofshëm rrijnë qetazi pa tufa lulesh e lotësh mbi.

Edhe pse shtëpisë së Babës s’ka kush sot t’ia çel derën, UNË S’KAM ME DAL ( unë jam e vetmja prej 4 anëtareve femra të familjes që jetoj n’Kosovë, nanën e motrat i kam t’ngujume në Itali e Gjermani, vëlla s’më dha jeta, babin ma mori lufta … oborret t’shkretnueme na kanë mbet – të rinjtë na i mori lufta, fëmijët gurbeti, pleqt ngujuem i kryejnë n’vetmi vitet e fundit t’jetës tuj mallku luftën që ua mori bijtë)…

Unë s’kam me dal – edhe pse na presin kujtimet e f’minisë me i trazue si çdo vjet, unë sot kam vendosur edhe pse me ndjenja të përzieme – UNË S’KAM ME DAL!

Por, JO për tu qëndruar besnik vendimeve që marrin Ata, se dalldia e tyre për pushtet na e përdhosi Lirinë derisa Ata ç’fryejnë mllefet partiake a personale duke bërë veprime çoroditëse në interesin e tyre individual pa qarë kokën për ne e për ditë si kjo.

UNË S’KAM ME DAL për hir të jetës së re që kam nisur, për hir të familjes së re që ma dha dorën atëherë kur jeta më rrëzoi përtokë. Për hir të një krahërori në të cilin kam qarë me dënesë netëve të pagjuma.

UNË S’KAM ME DAL për hir të shëndetit të fëmijëve të mi, të cilët janë e vetmja fije e shpresës për një të ardhme të ndritshme.

Prandaj, me fjalët që më lidhen në fyt nga dhimbja për të vdekurit, unë për hir të të gjallëve do të #RriNshpi.

Mes kujtimesh dhe mallit që s’matet me asgjë unë në heshtje kujtoj 26 marsin e vitit 1999, brenda n’shpi, larg Krushës, duke i ledhatu qetazi kujtimet e babës së vrarë, të kushërinjëve, dajëve e nipërve e të qindra krushjanëve të mi të dashtun!

UNË S’KAM ME DAL (edhe nëse vuaj) – ju vendosni vet!

Jeta duhet të vazhdoj- prandaj duhet me i sakrifiku momentet jo për veten, por, për të tjerët të cilët i kanë sytë dhe shpresat te ne!

#RriNshpi

#Mosrrezikotëtjerët