Utopia e kujtimeve në këngën “Kudo të shoh ty” - Gazeta Express
string(44) "utopia-e-kujtimeve-ne-kengen-kudo-te-shoh-ty"

Utopia e kujtimeve në këngën “Kudo të shoh ty”

Arte

Gazeta Express

06/12/2021 19:44

Muzika është një mënyrë e përsosur për të derdhur ndjenjat dhe në mënyrë hyjnore të tregojë atë që ndjenë zemra. Është si thotë Lamartine “ndonjëherë, kur një person mungon, e tërë bota duket e shpopulluar” apo Pablo Casals ndërsa, “muzika është mënyra hyjnore për ta rrëfyer … gjërat poetike të zemrës”

Ardian Jasiqi

Lexo Edhe:

Agron Shala në bashkëpunim me Bashkim Kërqelin dhe MV Muha kanë sjell sonte këngën e tyre më të re “Kudo që të shoh ty”.

Utopia e vetmisë, apo një rrëfim i përsosur i vetmisë së fantazuar, atë vetminë perfektë që e kërkojmë dhe nuk e gjemë, atë vetminë që nuk përputhet me realitetin tonë dhe nuk i takon kësaj bote është kënga me e re e kësaj treshe ku në mënyrë utopike tentohet të gjendet diçka që është esenciale, të dashuria e humbur.

Kjo e bënë këngën “Kudo të shoh ty” një rrëfim dhembjeje për dashurinë e humbur apo personin e dashur. Kujtimet në këtë këngë janë utopike sepse rrëfimi i këngës shkon përmes çlirimit duke u ballafaquar me hidhërimin- pra me të vërtetën që e rrethon.

Kënga “nuk ka gjini, nuk specifikon asgjë, por është momenti utopik dhe jeta nëpër të cilën ne mund të kalojmë çdo ditë të jetës. Është personifikimi i jetës sonë, jetës që na sjellë momente interesante e kur ato momente kalojnë e kemi ne to kujtesën utopike që nuk dëshirojmë që të na largohet.

Për ata që janë njohës të muzikës e shohin menjëherë se kjo këngë nuk është zakontë, për mënyrën si shtrihet, për mënyrën se si ajo e përçon mesazhin të publiku.

Autorët thonë se ajo është përfunduar para 16 vite. Por, ata kanë pritur 15 vjet për ta publikuar që sipas tyre është bërë si një “test nëse mosha e ndryshon ndjesinë e një momenti, apo nëse koha shëron. Cilado qoftë e vërteta, kënga është edhe një kujtesë që na ndjek, si dikur, si sot, si nesër”.

Muzikën, tekstin dhe aranzhmanin e këngës “Kudo të shoh ty” e ka bërë Agron Shala, ndërkaq vokalët janë interpretuar nga rok këngëtari Bashkim Kërqeli.

Në kitarë është njëri prej ikonave të rokut në Kosovë, Muhamet Veseli – Muha, i cili ka bërë edhe miksimin dhe postproduksionin e këngës.

Ata që kanë kontribuar në këtë këngë janë edhe:  Faton Hasimja; poeti i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj; filmbërësi i pavarur, Vranin Gecaj; ikonat e rokut shqiptar, Hektor Gjurgjiali dhe Shkëlzen Veseli; si dhe multi-instrumentalisti Ilir Veseli.

Kënga tashmë është në platformat kryesore të shpërndarjes së muzikës, si Apple Music, Spotify, Amazon, Deezer, iTunes, Youtube Music …/GazetaExpress/

Teksti është si më poshtë.

KUDO, TË SHOH TY!

Në dhomën tonë
I vetëm, në qosh
Hapësirë e zbrazët
Por ty, kudo të shoh

Kujtesa më flet
Zemra shpejton të vdes
Prej vetes po iki
S’e dua të t’afroj

Një hap para
Në sy më shikon
Dhe lëviz, largohesh
Unë prapë pas teje shkoj
Më humbe, u zhduke
Ku t’shkoj s’e di
Një hap prapa
I mbylli sytë
E t’shoh ty

Pa ty
Koha ndalet
Në kohët që s’janë
N’kujtimin që m’tall

Pa ty
Është një natë një ditë
Shpëtimi për mua
T’mos shoh kurrë ty
Por …

Në libra
E galeri
Në ëndrra
Fotografi
Në zemër
Në mendje
Në çmendje
Një dëshirë
Në falje
Helm, hidhërim
Në fjalë
Veç një kuptim
Çdo herë, këtu, aty
Afër e larg
Të shoh ty

Edhe sot
Vetëm jetoj
Mendjen e hapa
Dritaren kërkoj

Të shoh ty
Të shoh ty