Një ushtrim i thjeshtë trajnimi mendor, i kryer për pak më shumë se një muaj, mund të ulë rrezikun e demencës deri në 25 për qind, sugjeron një studim afatgjatë – i pari i këtij lloji.
Me rreth dy milionë persona që pritet të jetojnë me demencë deri në vitin 2050, studiuesit kanë shqyrtuar prej dekadash nëse trajnimi i trurit ka vërtet efekt mbrojtës. Tani, një studim 20-vjeçar me mbi 2.000 pjesëmarrës mbi 65 vjeç tregon se një ushtrim specifik, i përqendruar te vëmendja e ndarë, mund të lidhet me rrezik më të ulët për demencë.
“Ka pasur shumë skepticizëm nëse ndërhyrjet e trajnimit kognitiv janë të dobishme. Për mua, studimi ynë i jep një përgjigje këtij debati,” tha prof. Marilyn Albert, neurobiologe në Universitetin Johns Hopkins dhe autore kryesore e studimit. “Për herë të parë kemi një standard të fortë që na tregon çfarë mund të bëjmë për të ulur rrezikun e demencës.”
Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në tre grupe trajnimi mendor ose në një grup kontrolli. Ata zhvilluan seanca njëorëshe, dy herë në javë, për pesë javë. Një nga grupet përdori një ushtrim kompjuterik të quajtur Double Decision, që kërkon identifikimin e shpejtë të një makine dhe pozicionit të një tabele rrugore që shfaqen për pak çaste në ekran.
Ushtrimi ishte “adaptiv”, pra vështirësia rritej me përmirësimin e performancës së pjesëmarrësit, çka mendohet se aktivizon zona më të gjera të trurit. Dy grupet e tjera u fokusuan te trajnimi i kujtesës dhe i arsyetimit, përmes ushtrimeve për rikujtim verbal dhe zgjidhje problemesh.
Rreth gjysma e pjesëmarrësve morën edhe seanca përforcuese: katër seanca shtesë pas një viti dhe katër të tjera rreth tre vite më vonë. Pas 20 vitesh ndjekjeje, studiuesit konstatuan se vetëm grupi që kreu trajnimin e shpejtësisë së përpunimit me seanca përforcuese kishte 25 për qind rrezik më të ulët për t’u diagnostikuar me demencë, krahasuar me grupin kontroll.
Asnjë grup tjetër – përfshirë ata që bënë të njëjtin trajnim pa seanca shtesë – nuk tregoi ulje domethënëse të rrezikut.
“Madhësia e efektit është vërtet mbresëlënëse,” tha prof. Albert, duke theksuar se roli i seancave përforcuese duket kyç. Sipas ekipit, kjo mund të ndodhë sepse trajnimi i përsëritur përmirëson rezultatet ose sepse përshtatja graduale e vështirësisë e forcon më tej efektin e ushtrimit.
Megjithatë, studimi nuk është pa kritika. Gjatë periudhës së ndjekjes, gati gjysma e grupit kontroll zhvilloi demencë – një shifër që i afrohet vlerësimeve reale – por pjesëmarrësit në tërësi ishin më të shëndetshëm se popullata mesatare, çka mund të ketë ndikuar në rezultate.
Prof. Baptiste Leurent, statistikant mjekësor në University College London, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, vlerësoi se provat janë “të diskutueshme”. Sipas tij, krahasimet kryesore të rastësishme nuk treguan diferenca domethënëse dhe një rezultat pozitiv në një nëngrup nuk mjafton, zakonisht, për të provuar efektivitetin e ndërhyrjes.
Edhe Dr. Susan Kohlhaas nga Alzheimer’s Research UK e quajti studimin “inkurajues”, por paralajmëroi se ai nuk dëshmon se trajnimi i trurit parandalon demencën. Diagnozat u identifikuan nga të dhënat shëndetësore dhe jo nga vlerësime klinike të drejtpërdrejta, ndaj nuk dihet nëse ushtrimi ka ndikuar te sëmundjet bazë që e shkaktojnë demencën.
Të dy ekspertët theksuan se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar se si funksionon ky trajnim, kush përfiton më shumë dhe si mund të kombinohet me masat më të provuara për shëndetin e trurit: aktivitetin fizik, kontrollin e faktorëve kardiovaskularë dhe lidhjet shoqërore.
Çfarë është demenca?
Demenca është një term i përgjithshëm për një grup çrregullimesh neurologjike progresive që prekin kujtesën, të menduarit dhe sjelljen. Sëmundja e Alzheimerit është forma më e shpeshtë, por disa persona mund të kenë kombinime të disa llojeve.
Aktualisht nuk ka shërim për demencën, megjithëse disa trajtime mund të ngadalësojnë përparimin e saj, sidomos kur diagnostikohet herët. /GazetaExpress/