string(116) "ushtria-serbe-afer-kufirit-me-kosoven-maqedonci-pasi-e-permendi-tha-se-seshte-dicka-e-re-kurti-e-lidh-me-defender-25"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 15:19

Ushtria serbe afër kufirit me Kosovën, Maqedonci pasi e përmendi tha se “s’është diçka e re”, Kurti e lidh me “Defender 25”

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 15:19

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë në televizionin shqiptar A2CNN teksa ka folur për sigurinë e vendit, ka deklaruar se rreth 70 % të kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosura në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Kjo deklaratë e tij me përqindje specifike të pranisë ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën kishte nxitur mjaft reagime, duke u konsideruar si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e brendshme politike në Kosovë dhe aksionin e Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.

“Rreth 70% e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë serbe ndodhen në jug të territorit të saj, jo shumë larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj i shtojmë këto 48 baza të avancuara që ne gjithmonë i vlerësojmë si kërcënim. Kur një fqinj vendos forca ushtarake në kufi në një formë ose në një tjetër, kjo kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po ndodh rastësisht”, kishte thënë Maqedonci në A2CNN.

Duke e parë gjithë bujën që kishte bërë deklarimi për pozicionet e ushtrisë serbe, Maqedonci të mërkurën ka dalë me një sqarim në profilin e tij në “facebook”, duke thënë se ajo që ka thënë s’është diçka e re dhe se e ka përsëritur për një kohë të gjatë.

“Ajo pjesa e vogël pak më shumë se një minutëshe e intervistës sime u tentua të bëhet lajm i ditës dhe të paraqitet si një propagandë me qëllim marrje së vëmendjes. E ndjej të nevojshme të sqaroj para qytetarëve, se në pothuajse të gjitha paraqitjet e mija publike, për të paktën dy vitet e fundit, sa herë jam pyetur rreth pozicionimit të forcave ushtarake serbe kam dhënë gjithmonë të njëjtën përgjegje dhe kam paraqitur të njëjtat fakte”, ka shkruar Maqedonci për të sqaruar deklarimin e tij, raporton Express.

Ndonëse Maqedonci e ka deklaruar dhe është munduar ta arsyetojë me një shkrim në profilin e tij, për rritjen e pranisë ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën ka folur sot edhe kryeministri në detyrë dhe deputeti i LVV-së, Albin Kurti.

 Ndryshe nga ministri i tij, Kurti ka folur për një rritje që ka ndodhur tash së fundi, meqë sipas Kurtit mund të jetë edhe si përgjigje ndaj ushtrimit të “Defender Europe” që po mbahet edhe në Kosovë. Kreu i LVV-së ka thënë se vetëm s’dihet nëse po e bënë vet Serbia apo nëse ia ka kërkuar Rusia një rritje të tillë të gatishmërisë ushtarake.

“E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj Defender Europe 25, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka deklaruar sot Kurti në mbledhje të Qeverisë së Kosovës./Express/