string(54) "ushtria-e-malit-te-zi-do-te-trajnoje-ushtaret-ukrainas"

Gazeta Express

12/06/2025 18:38

Ushtria e Malit të Zi do të trajnojë ushtarët ukrainas

Gazeta Express

12/06/2025 18:38

Pas nëntë muajsh pritjeje, anëtarët e Parlamentit të Malit të Zi kanë miratuar vendimin për të dërguar pjesëtarë të ushtrisë në Misionin e Bashkimit Evropian për Ndihmë Ushtarake për Ukrainën.

Dyzet e nëntë nga 81 deputetët votuan në favor të vendimit.

Sipas vendimit të miratuar, pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi do të marrin pjesë në misionin e BE-së për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Me qëllim të forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, dhe si përgjigje ndaj ofensivave aktuale ushtarake të Federatës Ruse, por edhe të agresorëve të tjerë të mundshëm”, thuhet në sqarimin se pse u mor ky vendim.

Opozita akuzoi kryeparlamentarin Andrija Mandiq – që kundërshton NATO-n dhe mbështet presidentin rus Vladimir Putin – se ka penguar këtë përpjekje.

Partia e tij, që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka kundërshtuar anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore dhe po ashtu kundërshton sanksionet që Podgorica ka vendosur ndaj Moskës për shkak të agresionit kundër Ukrainës.

Mali i Zi iu bashkua NATO-s më 2017, në kohën kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike e Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në vitin 2020.

“Nëntëdhjetë e nëntë për qind e shumicës së sotme parlamentare nuk ka votuar për anëtarësimin në NATO”, tha kjo parti, duke komentuar shtyrjen nëntëmujore të votimit për këtë çështje.

Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, duke shpjeguar vendimin, përsëriti se “as që bëhet fjalë” që ushtarët e shtetit të tij, që do të dislokohen për këtë mision, të dërgohen në territorin e Ukrainës.

“Dua ta bëj këtë gjë të qartë. Unë kurrë nuk do të mbështesja diçka të tillë. Të gjitha aktivitetet e këtij misioni kryhen në territorin e BE-së, në Poloni dhe Gjermani”, tha ministri.

Misioni i BE-së është një nga dy misionet për Ukrainën që janë organizuar pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dhe ku Mali i Zi pritet të marrë pjesë.

Misioni i dytë organizohet nga NATO-ja.

Më 7 shkurt të këtij viti, Këshilli për Mbrojtje dhe Siguri miratoi një draft-vendim për përfshirjen e Ushtrisë së Malit të Zi në aktivitetet e NATO-s, përkatësisht në misionin për ofrim ndihme dhe trajnimi për Ukrainën.

Anëtarët e Këshillit – ku bëjnë pjesë presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, kryeministri Millojko Spajiq dhe kryeparlamentari Andrija Mandiq – u pajtuan që aktivitetet e Ushtrisë në kuadër të këtij misioni të zhvillohen vetëm në territorin e një prej shteteve anëtare të NATO-s.

Megjithatë, për pjesëmarrje në këtë mision duhet të vendosë Parlamenti i Malit të Zi./REL