Mjekët ukrainas kanë filluar procedurat për të hequr djegien me mbishkrimin “Lavdi Rusisë” nga trupi i një ushtari që u lirua nga robëria ruse. Plaga, e cila u gdhend nga mjekë rusë, tani po përgatitet për ndërhyrje më agresive.
Maksym Turkeviç, drejtor ekzekutiv i programit ukrainas të rehabilitimit “Naopalimija”, tha për “Ukrainska Pravda” se ushtari Andrij, rreth 40 vjeç, u plagos dhe u mbajt rob për më shumë se 15 muaj. Sipas tij, djegia i ishte bërë nga një kirurg rus.
“Ndërhyrja u krye nën anestezi të përgjithshme, me elektrokoagulator — një mjet që përdoret në kirurgjinë moderne për të hequr tumore, nishane, lytha etj. Qëllimi i këtij veprimi nuk ishte torturë, por lënia e gjurmës”, tha Turkeviç.
“Ndoshta autori ishte mjek me përvojë, duke pasur parasysh uniformitetin e mbishkrimit dhe ngjashmërinë me plagët e tjera. Kemi informacion se kush mund të ketë qenë kirurgu. Organet kompetente po e verifikojnë këtë”, shtoi ai.
Ushtari Andrij qëndron i shtrirë në spital që nga momenti i lirimit nga robëria. Mjekët aktualisht po i aplikojnë injeksione polinukleotidesh për të zbutur indet e dëmtuara dhe për t’i përgatitur për trajtim të mëtejshëm. Efikasiteti i procesit varet nga kujdesi fillestar që jepet.
Gjurmët e djegies do të mbeten
Turkeviç sqaroi se mbishkrimi do të hiqet me laser. “Ky proces ka të ngjarë të jetë i dhimbshëm dhe i pakëndshëm. Plagët e Andrijit nuk mund të operohen, pasi ndërhyrja do t’i zgjeronte edhe më shumë. Ndaj protokolli i trajtimit që përdorim është i ndërlikuar, hibrid dhe i përshtatur për çdo pacient”, tha ai.
Ai konfirmoi se gjurmët e plagës do të mbeten. Sidoqoftë, vështirë të parashikohet se si do të duken pas trajtimit, pasi kjo varet nga karakteristikat anatomike të secilit. “Do të kemi një pamje më të qartë pas trajtimeve të para me laser. Hipoteza jonë është që pas rreth gjashtë muajsh do të shohim rezultate të prekshme”, tha Turkeviç.
Trajtimi i Andrijit po vazhdon. Ai vuan nga lëndime në ijë, rupturë të fshikëzës urinare dhe hernie. Megjithatë, gjendja e tij psikologjike po përmirësohet. Andrij u lirua si pjesë e këmbimit të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë, që u realizua në Stamboll në maj.
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...