Banorët e Delvinës i kaluan orët e para të së mërkurës në rrugë dhe të panikosur nga frika e rrezikut të zjarrit të madh që përfshiu zonën.
Ndërsa flakët përhapeshin me shpejtësi, vazhdimisht dëgjoheshin shpërthime municionesh, ndërkohë që Delvina ishte nën pushtetin e flakëve dhe të tymit.
Situata ishte tepër problematike, ndërkohë që era e favorizonte përhapjen e flakëve me shpejtësi.
Forca të shumta zjarrfikëse, të bashkive të jugut por edhe të ardhura nga Tirana, forca të ushtrisë dhe banorë bënë të mundur shuarjen e zjarrit që ishte pranë qytetit.
Qendra Shëndetësore e Delvinës priti dhe trajtoi të dëmtuarit e parë si pasojë e zjarreve që përfshinë zonën.
Rreth 10 qytetarëve, mes tyre 4 nga forcat e ushtrisë, iu dha ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë.
Personeli mjekësor ndërhyri menjëherë për të ofruar ndihmën e nevojshme, duke u kujdesur për stabilizimin e gjendjes së tyre.
Disa prej të dëmtuarve shfaqën probleme me frymëmarrjen dhe plagë të lehta, ndërsa autoritetet shëndetësore mbetën në gatishmëri për çdo emergjencë tjetër.