Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi dhe ish ushtaraku Anton Quni kanë komentuar deklarimet e ministrit në detyrë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka thënë se 70 për qind të forcave ushtarake Serbia i ka dërguar pranë kufirit me Kosovën.
Kajtazi ka thënë se nuk është diçka e re, pasi që ato trupa janë aty që nga paslufta, por se ndër vite ato janë stërvitur dhe janë pajisur me armatim të ri.
“Mirëpo, ato [trupat] janë aty dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re… ajo që është rrezik tani është nëse Serbia siguron ndonjë miratim të heshtur nga dikush që kryen ndonjë operacion të kufizuar ushtarak në Kosovë. Rreziku është ky, rreziku është politik”, ka thënë ai, në FIVE në Dukagjin.
Se sa është e mundur një gjë e tillë, Kajtazi ka thënë se mund të themi se Kosova është në një zonë të rrezikshme pas një përplasje tani e disa vite të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, pasi që edhe Ministria e Jashtme është duke bërë një “neglizhencë” në aspektin e ruajtjes së marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Por, tutje ai ka thënë megjithatë, derisa është NATO e pranishme në Kosovë dhe mbështetja e SHBA-ve për sovranitetin e Kosovës, i largon gjasat në masë të madhe për një aventurë të tillë.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se nuk sheh asnjë rrezik për Kosovën nga ushtria e Serbisë.
Ish-ushtaraku Quni gjithashtu ka reaguar pas deklaratës së ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ndër tjera, Quni shtoi se Serbia tani nuk i ka kapacitetet që i kishte më herët.
“Po flasë si ushtarak, unë do të doja 100 për qind e ushtrisë serbe të dalin prej kazermave të hapin hendeqe, istikame, bunkerë e të tjera. Një vit ta kalojnë në natyrë, të jetojnë në natyrë, të shijojnë natyrën, munden të vijnë deri afër kufirit dhe la ta shijojnë Kosovën me dylbi nga larg”, tha ai për Klan Kosova.
“Unë nuk shoh asnjë rrezik nga ajo ushtri, jo 70 për qind, por 100 për qind. Le të lodhen dhe le të kënaqen dhe le ta marrin si piknik atë aktivitet. Kosova sot është shumë më e fuqishme se sa ka qenë në vitet 1998-1999, ushtria e Serbisë është shumë më e dobët sesa ka qenë në vitet 1998-1999″.
” Ata këtu i patën 145 mijë forca së paku, pa llogaritur administratën civile e të tjera e të tjera, dhe nuk do ta arrijnë nga 20 mijë forca sa i kanë për momentin, qe i paskan nxjerr 70 për qind do të thotë 14 mijë forca, 10 për qind të ish 140 për qindëshit, me ato forca me rreziku territorin, me rreziku jetën e qytetarëve, dhe Kushtetutën tonë”, ka thënë Quni.