Një studim i ri sugjeron se meshkujt që konsumojnë shpesh ushqime të përpunuara në nivel të lartë kanë shumë më tepër gjasa të përballen me probleme fertiliteti, duke zgjatur ndjeshëm kohën që çiftet kanë nevojë për të arritur një shtatzëni.
Sipas studiuesve, meshkujt që ndjekin një dietë të pasur me ushqime ultra të përpunuara – si bukë industriale, ëmbëlsira, produkte pastiçerie, ushqime të skuqura dhe snacks të kripura – kanë rreth 75% më shumë rrezik për subfertilitet. Kjo gjendje nënkupton se partneres i duhet më shumë kohë për të mbetur shtatzënë krahasuar me çiftet me një dietë më të balancuar.
Studimi, i realizuar në Universitetin Erasmus në Roterdam, përfshiu 831 gra dhe 651 burra që po përpiqeshin të kishin fëmijë. Rezultatet treguan se një pjesë e konsiderueshme e dietës së pjesëmarrësve përbëhej nga këto ushqime: mesatarisht një e pesta për gratë dhe një e katërta për burrat. Madje, më shumë se një në dhjetë çifte pranuan se mbi një e treta e dietës së tyre ishte e tillë.
Tek meshkujt që konsumonin më shumë ushqime të përpunuara, rreziku për subfertilitet u rrit ndjeshëm – duke arritur deri në afro 70%. Në përgjithësi, gati 40% e burrave të përfshirë në studim raportuan vështirësi në konceptim.
Ndikimet nuk kufizohen vetëm tek fertiliteti. Studiuesit vunë re se gratë që konsumonin rregullisht ushqime të tilla kishin më shumë gjasa të kishin shtatzëni me zhvillim më të ngadaltë të embrionit. Fëmijët e palindur në këto raste shfaqnin ndryshime të lehta në fazat e hershme të zhvillimit, përfshirë struktura fillestare pak më të vogla dhe ritëm më të ngadaltë të rritjes embrionale.
Hulumtime të mëparshme kanë lidhur rritjen e ngadaltë embrionale me rrezik më të lartë për lindje të parakohshme, abort spontan dhe probleme kardiovaskulare në fëmijëri.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt se ushqimet ultra të përpunuara janë shkaku i këtyre problemeve. Faktorë të tjerë mund të kenë ndikuar në rezultatet.
Ekspertë të pavarur bëjnë thirrje për kujdes në interpretim. Ata theksojnë se ndryshimet e vërejtura janë relativisht të vogla dhe se ndikimi i faktorëve si pesha trupore, aktiviteti fizik dhe mënyra e përgjithshme e jetesës mbetet shumë më i rëndësishëm.
Megjithatë, studiuesit rekomandojnë që çiftet që planifikojnë një shtatzëni – veçanërisht meshkujt – të kufizojnë sa më shumë konsumimin e ushqimeve ultra të përpunuara.
Mesazhi kryesor është i qartë: shëndeti dhe mënyra e jetesës së të dy partnerëve luajnë rol të rëndësishëm në fertilitet dhe në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, jo vetëm ai i nënës. /GazetaExpress/