Bashkimi Europian do ta përmbushë angazhimin për t’i dhënë Ukraine një kredi prej 90 miliardë eurosh, “në një mënyrë ose në një tjetër”. Kështu deklaroi të martën presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në sfondin e kërcënimeve për bllokim nga Hungaria.
Duke folur në Kiev, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus, ajo theksoi se BE-ja me 27 vende anëtare do të punojë gjithashtu për një paketë të re energjetike dimërore për Ukrainën, me vlerë 920 milionë euro për periudhën 2026–2027.
Von der Leyen shtoi se Ukraina është “në rrugën e duhur” për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.
Thirrje për riparimin e naftësjellësit Druzhba
Presidentja e Komisionit Europian deklaroi gjithashtu se BE-ja i ka kërkuar Ukrainës të përshpejtojë riparimet në naftësjellësin Druzhba, i cili ka pësuar dëmtime gjatë luftës me Rusinë.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orbán deklaroi të dielën, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Energjetike, se asnjë kredi lufte për Ukrainën nuk mund të miratohet pa rifillimin e furnizimeve me naftë drejt Hungarisë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë i Hungarisë, Péter Szijjártó, njoftoi se vendi do të bllokojë miratimin e paketës së 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë.
Hungaria dhe Slovakia, të vetmet vende të BE-së që vazhdojnë të importojnë sasi të mëdha nafte ruse përmes tubacioneve, akuzojnë Ukrainën për ndërprerjen e furnizimeve.