Urrejta ndaj Alter Egos - Gazeta Express
string(23) "urrejta-ndaj-alter-egos"

OP/ED

Gazeta Express

18/11/2025 16:49

Urrejta ndaj Alter Egos

OP/ED

Gazeta Express

18/11/2025 16:49

Shkruan: Ben Andoni

Ka bërë përshtypje vetëm pak minuta përgjigja e Kryeministrit Rama në një intervistë gjatë takimit të qeverive italo-shqiptare, sipas të cilës nuk e ka një bir politik që ta zëvendësojë. Nëse do të përbënte habi atëherë, ajo do të komentohej, analizohej dhe do të shikoheshin madje edhe përfytyrimet e liderëve të Shqipërisë së ardhshme. Askush nuk e merr me mend sot identikitin e zëvendësit të Ramës dhe njeriut që do ta drejtojë pas tij Partinë Socialiste. Është aq e madhe diferenca e Kultit që i kanë ngritur, saqë përmendja e emrave alternativë përjetohet thjesht si grotesk. Në kampin tjetër, nëse do të përmendësh ndonjë pasues të Berishës pas rastit “Basha” do të jetë herezi. Kush të dojë le të vijë dhe të përballet në votime, shprehet Berisha figura më e madhe politike e këtyre 35 viteve me uljengritje të paimagjinueshme. Përçmimi ndaj Alter Egos së tyre politike është e hapur dhe cinike. Askush nuk mund të barabitet me ta. Propaganda rreth Ramës e ndihmon, kurse kërkesat e zbehta ndaj Berishës për reflektim mbeten në eter.

E para sepse demokracia e brendshme te PD-ja është e shkëlqyer në formë, por krejt e gënjeshtërt në realitet. Rasti i promovimit të Bashës, primareve, listat inferiore të kandidatëve janë disa nga shfaqjet më të hapura të këtij argumenti. Kurse tek PS-ja s’ka nevojë për propagandë, sepse Rama dikton me fuqinë e Ekzekutivit që drejton. Nuk jep llogari para Pushtetit Legjislativ; Presidenca nuk i shkakton asnjë kokë-dhimbje me firmat mbi dekrete; partia është kthyer në një detashment (koreografia e heshtjes në Asamble dhe kurdo e tregon këtë); performanca ndërkombëtare me hapjen dhe të clusterit të fundit është lëbyrëse prej kryeministrit shqiptar. Propaganda e tij tashmë është e thjeshtë sepse është direkte: “Me Edin në Evropë në vitet ’30″. Te Berisha, propaganda, është edhe më e saktë: “Askush nuk e hedh Ramën, veç Berishës”. Edhe më i qarti tek PDja, pasi del pak nga rreshti, kthehet te e njëjta pikë: Po, vetëm me Berishën! ‘Ciniku’ shekullor Noam Chomsky me fushëpamjen e tij e ka një ide për këtë ngërç demokratik: “Ky është i gjithë qëllimi i propagandës së mirë. Duhet të krijosh një slogan kundër të cilit askush nuk do të jetë dhe të gjithë do të jenë pro. Askush nuk e di se çfarë do të thotë, sepse nuk do të thotë asgjë”.

Ka një logjikë e cila shkon më shumë në aspektin antropologjik. Në Evropën Lindore, është e natyrshme dhe krejt e zakonshme që elitat politike t’i shmangin qoftë edhe në retorikë pasardhësit. Rasti i Serbisë, Hungarisë, Federatës së Bosnjës (sidomos Republikës Srpska), Polonisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, janë shembuj të mirë ilustrativë. Një përgjigje për ne shqiptarët është e kuptueshme: Kultura politike postkomuniste është e lidhur me kujtimin e frikës së brendshme, ku kundërshtarët eliminoheshin sepse të rrezikonin postin. Rasti shqiptar është ilustrim i saktë i masakrës që bëri Enver Hoxha me njerëzit më të afërt me të cilët fitoi dhe mbajti pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore. Tek PS-ja sot njerëzit me të cilin Rama nisi qeverisjen nuk duken më as nëpër foto sepse janë shmangur ose më keq janë në burgje dhe të penalizuar. Më keq tek PD-ja. Ata që provuan të ngrinin qoftë edhe zërin ndaj Berishës nuk ekzistojnë më. Njësoj, partitë kudo në Lindje nuk i ngrënë demokracitë e brendshme mbi institucione por mbi individë. Statutet e partive edhe pse janë të qepura mirë sipas kanoneve demokratike nuk funksionojnë. Vetëm të mendosh se në instancë të fundit japin llogari te kryetari i Partisë e kupton sesa efikase të jenë ato. Po të funksiononte statuti i Partisë Demokratike nuk do ndodhte kurrë ndarja me Bashën dhe çoroditjet e Berishës me “Foltoren”. Nëse nuk ishe besnik ndaj Berishës do e shikoje veten tek Lista e Hapur (ashtu si ndodhi), ku probabiliteti i zgjedhjeve në votimet e këtij viti ishte minimale. E sa për ideologjinë, ajo është harruar prej kohësh. Partia Socialiste sillet normale si e Djathtë dhe lidhjet më të mira i ka me qeveritë e Djathta problematike (mes tyre Meloni, Orban), ashtu si Partia Demokratike flet normal me diskurs të Majtë, e para sepse do të thithë elektorat të kësaj fashe që është shumë i madh në vend dhe e dyta sepse do të tregojë fytyrë shumë sociale në masën e madhe të publikut.

Ndërkohë në vendin tonë, sfida më e madhe demokratike është dhe do të mbeten zgjedhjet. Ende tek ne votohet nga influencat krahinore dhe sidomos me përdorimin e masës së madhe të administratës e pushtetit, defekte të parapara dhe të reklamuara shpesh nga OSBE-ODHIR. Partitë shfaqin dobësi në terren sepse e harrojnë krejt bazën dhe mbi të gjitha zhurma e partive të vogla e “çorodit” skakierën politike. Në këto kushte, Rama dhe Berisha shfaqin dukjen e tyre dhe i identifikojnë zgjedhjet me emrin e tyre. Sistemi i qepur nga reforma e përbashkët zgjedhore PS dhe PD e mbështet forcën e tyre, madje edhe në Listat e Hapura, është shfaqja e tyre direkte apo indirekte që ndikon. Sa i përket Alter Egos së kryetarëve, harroje, ata as nuk ekzistojnë edhe në ëndrra. Rama ka kohë që thotë se do të largohet kur të dojë vetë dhe, me një diskurs po të ngjashëm, Berisha mëton se nuk do të largohet dhe se ka fuqinë e mjaftueshme të kthehet edhe në të tetëdhjetat e tij në pushtet. “Ka forcën e një të riu”, thoshte z. Noka, një nga sekretarët e tij, duke aluduar për potencën seksuale! Në çdo lloj butaforie tregohet shtati i Ramës, si sfidë, dominim dhe siguri; ashtu si Berisha i kuruar që jep idenë e qëndrueshmërisë, duke shpjeguar me forcë katrahurën e qeverisë.

Në sisteme si tonat, fuqia e liderit ka ndikim oligarkik, ku gjallojnë rrjete biznespolitikë dhe klientelizëm dhe ku kuptohet se udhëheqësit veprojnë si pika fokale që shpërndajnë burimet. Sot, në media ka vazhdimisht referime sesi shumë nga lejet e ndërtimeve lidhen me njerëzit e Berishës, apo sesi njerëz të z. Rama kanë pushtet falë njohjes dhe konjukturave me të. Zëvendësi i Ramës në arrati, Ahmetaj, ka rreshtuar disa syresh. Ndërkohë, mendo sikur një pasardhës të bjerë në këto burime, atëherë liderit suprem i bie pushteti dhe mundësitë, ndaj duket se udhëheqësit tanë e vonojnë trashëgiminë e tyre politike. Duket sikur postin duan ta marrin me vete…

Të shkon ndërmend momenti kur kancelari gjerman erdhi në Shqipëri dhe në pritjen protokollare revistuese para Muzeut Kombëtar, i bëri me shenjë Ramës (Fill pas zgjedhjeve): Ti, katër herë! Është e vërtetë që kancelarja Merkel qëndroi shumë, por institucionet gjermane funksionojnë. Ato britanike shumë më tepër. Madje edhe ato të fqinjëve italianë.

Gjithsesi në Shqipëri është i gjallë tranzicioni i tmerrshëm i kapërcyellit të viteve ’90, viti i tmerrshëm ’97 dhe katrahurat e mëtejshme. Kështu, lideri në ligjërimin publik mbetet garantuesi i stabilitetit, mbrojtësi i unitetit dhe njeriu që parandalon kaosin. Në rastin tonë, autor i kaosit ishte Berisha, që paradoksalisht sot është në fuqi, por tashmë si lider i opozitës.

Me pak fjalë, jo vetëm tek ne, por kudo në Lindje përgatitja e pasardhësve është e sikletshme, sepse mund të kushtojë politikisht për liderët, statutet nuk e mbështesin faktikisht dhe dekurajohen shpesh e vazhdimisht. Pushteti i liderëve varet nga autoriteti personal dhe këtë e kupton nëse ke problem me Ramën dhe Berishën, kur rrokullisesh në fund të karrierës.

Shkrimtari ynë i njohur Kadare e përshkroi paranojën dhe të gjithë këtë proces me romanin e tij të fundit “Pasardhësi” (2003), ku trajtohet vdekja misterioze e pasardhësit të diktatorit komunist shqiptar. Kaq domethënëse është si proces në letërsi, saqë ajo është përkthyer në disa gjuhë. Kuptohet se romani është i papërfillshëm për politikanët shqiptarë, e para se ka gjasa të mos e kenë lexuar dhe kryesore, sepse sistemi politik u jep atyre stimuj për ta përqendruar pushtetin, për t’i frikësuar rivalët (në fakt, të gjorët as e marrin mundimin të shfaqen).

Liderët nuk i besojnë askujt, sidomos një Alter Ego (latinisht “Uni tjetër”). Në literaturë, koncepti do të thotë një vetvete alternative, e cila besohet të jetë e ndryshme nga personaliteti normal ose ai, i vërtetë origjinal i një personi: Sjellja e një Alter Ego të tillë do të kërkojë gjetjen e vetvetes tjetër, një me një personalitet të ndryshëm që mund t’ia marrë pushtetin dhe t’ia fshijë trashëgiminë. Harresa e Nanos dhe figurave të tjera, ose e komunistëve për paraardhësit është shembulli. Ndaj, Rama dhe Berisha e urrejnë Alter Egon e tyre dhe e përbuzin si koncept sepse asnjë Alter Ego s’mund të ekzistojë jashtë hijes së tyre. Shëmbëllimi u ngjan personazheve të Kadaresë, në rastin tonë bash atij që tregon fatin e keq të “Pasardhësit”. Kohët janë të ndryshme, por etja për pushtet është e njëjtë.