Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se disa zona në jug të kryeqytetit sudanez, Khartum, janë në rrezik të urisë masive, duke theksuar se nevojat në terren po tejkalojnë burimet e disponueshme për shkak të mungesës së financimeve.
“Shkalla e urisë, dëshpërimit dhe mjerimit është e rëndë dhe konfirmon rrezikun real të urisë në ato zona,” ka thënë Laurent Bukera, Drejtori i Programit në Sudan, gjatë një konference për media, raporton Reuters.
Kujtojmë se që nga prilli i vitit 2023, Sudani është zhytur në një konflikt të përgjakshëm civil mes ushtrisë sudaneze (SAF) dhe grupit paraushtarak të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Ky konflikt deri më tani ka zhvendosur miliona njerëz, ka shkatërruar rrjetin e furnizimit me ndihma dhe ka shkaktuar kolaps në infrastrukturën shëndetësore dhe ekonomike të vendit.
OKB ka paralajmëruar se nëse situata nuk ndryshon shpejt, miliona njerëz në Sudan mund të përballen me uri të përmasave katastrofike në muajt në vijim.