Urdhri ekzekutiv për të ardhmen e Ballkanit - Gazeta Express
string(43) "urdhri-ekzekutiv-per-te-ardhmen-e-ballkanit"

Urdhri ekzekutiv për të ardhmen e Ballkanit

OP/ED

Gazeta Express

11/06/2021 14:43

Presidenti i SHBA-së dhe administrata e tij e formësoi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Nxjerrja e këtij urdhri ekzekutiv nga ana e presidentit Biden është lajm shumë i mirë për tërë rajonin tonë. Me këtë urdhër, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë edhe një herë  përkushtimin për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar përdorimin e mekanizmave që nuk janë parë deri më tani me qëllimin e vetëm që vendet e rajonit t’i fuqizojnë demokracitë e tyre për të ardhmen e tyre euroatlantike.

Shkruan Bashkim Smakaj

Lexo Edhe:

Një vendim i tillë jo vetëm që orienton politikën e jashtme të vendeve të Ballkanit, por ajo ndikon edhe në orientimin e politikës së jashtme të BE-së në proceset e saj ndaj rajonit tonë. Mosmarrja e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë aktive dhe mosqartësimi i perspektivës evropiane për to ka bërë që në Ballkanin Perëndimor të shfaqen lloj-lloj skenarësh sesi do të duket rajoni ynë. Të gjitha në kundërthënie me njëra-tjetrën dhe duke dërguar sinjale të qarta se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor ende nuk janë arritur. Kohëve të fundit ishim dëshmitar të shumë non-papers që qartë cenonin rendin e tanishëm të rajonit tonë, herë duke akomoduar interesa të një kombi, herë të një kombi tjetër.

Zgjerimi i urdhrit ekzekutiv jo vetëm që dërgon rajonin tonë në prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së, por gjithashtu rithekson se Ballkani mbetet sferë e interesit strategjik amerikan dhe u bënë të qartë të gjithë liderëve të rajonit se marrja me temat populiste shterpe nuk do të jetë më e toleruar nga Shtetet e Bashkuara. Madje, ky urdhër ekzekutiv jo vetëm që sinjalizon qartazi interesin amerikan, por shërben edhe si platformë apo program pune për çdo qeveri të tanishme dhe të ardhshme, si në rrafshin e politikës së brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në rrafshin e brendshëm kërkon funksionim demokratik të shteteve, me rend dhe ligj, duke luftuar të gjitha dukuritë negative, me theks të veçantë korrupsionin. Ndërsa, në rrafshin e jashtëm, fqinjësi të mirë, eliminim të pengesave të ndërsjella dhe bashkëpunim në mes të gjitha shteteve të rajonit tonë.

Ky urdhër i hodhi poshtë në mënyrë të përnjëhershme të gjithë skenarët për të ardhmen e rajonit tonë, duke ua lehtësuar shumë partnerëve evropianë që të angazhohen në adresimin e perspektivës së rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndëshkimi i lidershipit të vendeve të rajonit nuk do të jetë më vetëm për shkelje të ligjit, për ndonjë krim të kryer apo korrupsion. Por ky ndëshkim do të vijë edhe nëse paraqet pengesë për interesat strategjike të SHBA-së në rajon.

Tani e tutje, çfarëdo minimi i investimeve amerikane për paqen dhe sigurinë e rajonit tonë, nuk do të lejohet të cenohet nga asnjë lider , në asnjë formë, qoftë përmes keqqeverisjes apo ndonjë pengese tjetër ndërshtetërore. Kostot që liderët e rajonit tonë do t’i paguajnë janë tejet të larta, në rast të devijimit nga ndonjë prej parimeve të vendosura në këtë urdhër ekzekutiv.

Porosia për Qeverinë e Kosovës duket shumë e qartë: dialogu nuk ka perspektivë tjetër, luftimi i krimit dhe korrupsionit është detyrim, rreshtimi në një linjë me politikën e jashtme dhe interesat strategjike amerikane është i pa kompromis. Në anën tjetër, ky urdhër përmban në vete porosi të qarta edhe për Serbinë dhe Qeverinë e saj, duke qartësuar se flirti politik edhe me Amerikë e Evropë, edhe me Rusi e Kinë, nuk është i mirëpritur nga ana e SHBA-së dhe as kjo sjellje nuk do të lejohet më!

Sinjale të qarta ka edhe për elementet destabilizuese në vendet e tjera të rajonit tonë, si për Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht për liderët e Republikës Serbe, që kohëve të fundit intensifikuan përpjekjet për ndarje nga BiH, ashtu edhe për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë.

Tani u mbetet liderëve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, që në kuadër të këtyre parimeve të gjejnë hapësirën e duhur për adresimin e të gjitha çështjeve të hapura.

Në anën tjetër, po ashtu, tepër e vështirë do të jetë që edhe BE-ja të pajtohet në plotni me këto parime të vendosura nga SHBA-ja në këtë urdhër ekzekutiv. Por, duke njohur mënyrën e funksionimit të BE-së, vështirë që ajo do të ndryshojë diçka në dinamikën e saj të zakonshme të adresimit të çështjeve të rajonit tonë.

Alternativa më e lehtë për BE-në do të ishte hartimi i një strategjie të re për Ballkanin Perëndimor dhe qartësimi i anëtarësimit në bllok i të gjitha vendeve të rajonit tonë në Bashkimin Evropian, në mënyrë të përnjëhershme për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë konflikteve në këtë pjesë të Evropës.