Urat mbi Ibër, nënkryetari i Mitrovicës së Veriut: S'është momenti, s'kemi qendër kulturore, shkolla... - Gazeta Express
string(94) "urat-mbi-iber-nenkryetari-i-mitrovices-se-veriut-seshte-momenti-skemi-qender-kulturore-shkolla"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 15:41

Urat mbi Ibër, nënkryetari i Mitrovicës së Veriut: S’është momenti, s’kemi qendër kulturore, shkolla…

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 15:41

Planet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicën e ndarë, shkaktuan reagime të ashpra në mesin e serbëve lokalë, të cilët e shohin këtë veprim si provokim politik dhe jo si mjet për lidhjen e komuniteteve.

Ndërsa autoritetet në Prishtinë pohojnë se qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi”, disa qytetarë dhe përfaqësues lokalë paralajmërojnë se vendimi i tillë, i marrë pa konsultim me komunitetet, mund t’i rrisë edhe më shumë tensionet mes veriut dhe jugut të qytetit.

Marina nga Mitrovica e Veriut thotë se ky është “një vendim i nxituar nga autoritetet e Kosovës për të demonstruar pushtetin e tyre mbi qytetarët e veriut”.

“Të gjithë e dimë se ato dy ura nuk i nevojiten aspak qytetit dhe nuk mund të kontribuojnë në asnjë ‘përafrim’ ose ‘forcim të komunikimit’ midis qytetarëve në dy anët e Ibrit, por shërbejnë ekskluzivisht si mjet për të mbjellë paranoja te popullata serbe e veriut”, thotë Marina për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës synon t’i ndërtojë dy ura në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilat do ta lidhnin Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën Jugore të banuar me shumicë shqiptare.
Qeveria e Kosovës synon t’i ndërtojë dy ura në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilat do ta lidhnin Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën Jugore të banuar me shumicë shqiptare.

Ajo kujton se ka ura funksionale për qarkullim dhe se qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut mund të kalojnë në këmbë edhe përmes urës kryesore mbi Ibër.

Për Anën, ideja e ndërtimit të dy urave mbi Ibër, përveç kryesores, është “krejtësisht e pakuptimtë”.

“Më shumë më duket si premtim parazgjedhor dhe mesazh për elektoratin, sesa kujdes i vërtetë për qytetarët dhe mënyrën se si ata funksionojnë. Komuna e Mitrovicës së Veriut duhet të merret me çështje të tjera, e jo me ide që nuk kanë thelb”, thotë ajo.

Autoritetet e Kosovës paralajmëruan javën e kaluar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

Bazuar në një fotografi ilustruese, të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shihet se ato do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Megjithatë, nga BE-ja i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Qeveria në detyrë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të dhënë më shumë detaje rreth ndërtimit të këtyre urave, përkatësisht kur planifikohet ndërtimi i tyre, nëse do të jenë të hapura për trafik e të tjera.

Qeveria nuk iu përgjigj as kërkesës për të komentuar qëndrimin e BE-së për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në vendimin për ndërtimin e urave.

A kanë nevojë qytetarët për ura të reja?

Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër u planifikua bazuar në një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Infrastrukturës së Qeverisë së Kosovës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky projekt “do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe do të shërbejë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim midis dy pjesëve të qytetit”.

Megjithatë, një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.

Ai thotë se askush nuk u konsultua me qytetarët për nevojën e tyre dhe se çështja nuk u diskutua as në seancat e Kuvendit Komunal.

Sipas tij, ka çështje shumë më të rëndësishme që autoritetet lokale në veri të Mitrovicës duhet t’i adresojnë.

Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, thotë Millunoviq.

“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Millunoviq është i vetmi këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, i cili nuk e la pozitën e tij në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.

Ai beson se, viteve të fundit, autoritetet e Kosovës vazhdimisht “kanë krijuar tensione të reja” dhe shton se ndërtimi i urave po paraqitet si “bashkim i Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, ndaj njerëzit janë të frikësuar”.

Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.

Në mes të qershorit të këtij viti u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u pyet më pas nëse formimi i bordit nënkuptonte një hap drejt bashkimit të qytetit në një komunë të vetme, por ai e mohoi këtë në mënyrë kategorike.

Sadiku: E mbështes ndërtimin e urave, por nuk është momenti

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, thotë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por shton se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.

“Nuk është koha e duhur për të filluar [me ndërtimin e urave]. Të mos harrojmë se po afrohen zgjedhjet lokale – këto ura u shërbejnë politikanëve më shumë sesa qytetarëve të zakonshëm. Çdo qytetar i Mitrovicës ka nevojë për ura, por ne nuk kemi qendër kulturore, shkolla jonë është në kontejner, kemi shumë persona të zhvendosur, jo vetëm nga komuniteti shqiptar. Ka prioritete më të mëdha, urat duhen ndërtuar, por duhet të shkojmë me prioritete”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se autoritetet qendrore dhe lokale është dashur të konsultohen me qytetarët para se të merrnin vendimin për ndërtimin e dy urave mbi Ibër, pasi ky është një vendim “me rëndësi të madhe”.

Sipas tij, ndërtimi i urave të reja duhej planifikuar pasi ura kryesore të hapej për qarkullim.

Pjesëtarët e komunitetit serb duhet ta kuptojnë se diçka e tillë do të ishte edhe në interesin e tyre, thotë Sadiku.

Përpjekjet e mëparshme për të hapur urën kryesore

Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – tha atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i tha Radios Evropa e Lirë se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë, që punojnë në mbështetje të Kosovës”, tha në atë kohë ambasadori amerikan, duke shfaqur shpresën se Qeveria e Kosovës do t’i merrte parasysh “këto shqetësime”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt.

Kjo urë njihet për konfliktet etnike në periudhën e pasluftës dhe kjo është edhe arsyeja kryesore e mbylljes së saj për qarkullimin e automjeteve.

Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i thanë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarë nga Mitrovica e Jugut deklaruan se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.

Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.

Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.

Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë. /REL