Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot takimin e paralajmëruar me vullnetarët e fushatës në Parkun e Qytetit, ku para një numri të madh të tyre prezantoi pesë zgjidhjet emergjente për problemet më të mëdha të kryeqytetit.
Në fjalën e tij, Ismaili tha se në politikë është futur për shkak të Prishtinës, sepse qyteti ku ai është rritur e jeton ka nevojë për një qasje të re në qeverisje.
Ai ka theksuar se ka qenë çdo ditë pranë qytetarëve, ka vizituar çdo lagje e fshat të Prishtinës dhe ka ndërtuar planin e tij mbi problemet reale me të cilat ata përballen.
Ai kërkoi besimin e qytetarëve duke u zotuar se me qeverisjen e tij do të sjellë versionin më të mirë të Prishtinës.
“Prandaj, ma jepni shansin. Do ta shihni dhe do të bindeni secili! Ju zotohem dhe premtoj se keni me pa versionin ma të mirë të Prishtinës,” tha ai.
Pesë zotimet e Ismailit përfshijnë:
– Hapjen e sheshit “Xhorxh Bush” për qarkullim.
– Zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve me autobusë të rinj dhe linja të reja me lagjet më të largëta.
– Ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja dhe një qytet të pastër 24/7.
– Zgjidhjen e problemit të qenve endacakë.
– Ndriçimin e mbi 1.000 rrugëve dhe vendosjen e oficerëve të sigurisë në shkolla.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe miqësore, ku të pranishmit patën mundësi të dëgjonin dhe të flisnin drejtpërdrejt me kandidatin.