Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sonte do të vazhdojë turin e tij të prezantimit të zgjidhjeve në lagje, ku do të ndalet në lagjen Matiçan. Takimi do të mbahet në shkollën “Mitrush Kuteli”, duke filluar nga ora 19:00.
Ismaili ka theksuar se Matiçani po vuan nga zgjerimi i pakontrolluar ndërtimor dhe mungesa e investimeve të koordinuara, si edhe nga moszhvillimi i infrastrukturës sociale të domosdoshme për një jetë cilësore e dinjitoze – siç janë çerdhet, shkollat, furnizimi me ujë të pijshëm, si dhe linjat e transportit publik. Sipas tij, ky zgjerim i pankontrolluar ka sjellë po ashtu reduktim të hapësirave publike dhe gjelbërimit, duke e lënë lagjen në një gjendje kaotike, njësoj si shumë pjesë të tjera të Prishtinës.
Ai tha se kësaj situate do t’i vijë fundi më 12 tetor, sepse ka ardhur koha për një qeverisje që ka prioritet shërbimin ndaj qytetarëve, ofrimin e kushteve për një jetë të plotë në lagjet e tyre dhe zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. “Matiçani dhe lagjet e reja meritojnë zhvillim të planifikuar dhe kushte dinjitoze për jetesë, jo kaos ndërtimor dhe infrastrukturë të shkatërruar. Ndryshimi fillon tani,” ka theksuar ai.
Ismaili në planin e tij për lagjen Matiçan, Ismaili ka paralajmëruar:
– Ndërtimin e një çerdheje moderne.
– Renovimin e shkollës “Mitrush Kuteli”.
– Krijimin e dy parqeve të reja me kënde lojërash dhe hapësira rekreative.
– Ndërtimin e terreneve sportive për të rinjtë.
– Garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë
– Ndriçimin e plotë të hapësirave publike.
– Lirimi dhe ndërtimi i trotuareve të reja. – Ndërtimin e shtigjeve për biçikleta
Takimi i sotëm në Matiçan është pjesë e turit të prezantimeve të Uran Ismailit në të gjitha lagje e fshatra e Prishtinës, ku po shpalos projekte konkrete të dala nga nevojat kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Video e plotë: https://www.facebook.com/share/r/18zLE1owE1/