Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar sot disa takime me pronarë dhe punëtorë biznesesh përgjatë sheshit “Xhorxh Bush”, për të diskutuar nga afër ndikimin e mbylljes së këtij segmenti në gjendjen ekonomike të tyre.
Gjatë bisedës me ta, bizneset shprehën shqetësimet e tyre për pasojat që ka shkaktuar mbyllja disa vjeçare e këtij sheshi pa konsultim paraprak dhe pa plan alternativ. Ata theksuan se vendimi ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e të hyrave, mbylljen e shumë bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës.
Njëra nga punonjëset e bizneseve tha: “Që prej ndaljes për qarkullim në këtë rrugë, puna jonë ka rënë për 80%. Shumë biznese janë mbyllur dhe shumë punëtorë kanë mbetur pa punë. Kryetari aktual asnjëherë s’ka ardhë me e diskutu me neve. Ai e ka bo veç në kry ne veti, na veç kur e kena pa që u mbyll rruga.”
Duke komentuar këtë situatë, Uran Ismaili theksoi se vendimi për hapjen e përkohshme të sheshit “Xhorxh Bush” është i domosdoshëm jo vetëm për qarkullimin, por edhe për respektimin e qytetarëve dhe bizneseve që janë anashkaluar për katër vite.
“Nuk është fer për qytetarët e Prishtinës, kushdo që të jetë në pushtet, me ua vështirësu jetën. Ideja e një qeverisjeje lokale është me ta lehtësu jetën – prej mëngjesit deri në mbrëmje, në çdo hap,” tha ai.
Ismaili theksoi se ky do të jetë vendimi i tij i parë si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, në kuadër të planit të tij për një kryeqytet funksional, të qasshëm dhe në shërbim të qytetarëve.
Urime për fituesit e tretë – Fitore Ismajli dhe Qemal Gjana! GO+ po vazhdon të shpërblejë më të guximshmit!...