Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka deklaruar se rikandidimi i tij ka ardhur si kërkesë e drejtpërdrejtë nga qytetarët, ndërsa programi që po prezanton është ndërtuar pikërisht mbi nevojat dhe kërkesat e tyre.
“Unë jam këtu për me fitu, dhe aleanca ime e vetme është me qytetarin e Prishtinës. Nëse qytetarët ma japin mundësinë, unë do t’i realizoj të gjitha premtimet e mia, të cilat sot ata i kanë të ditura, të detajuara me numra të saktë” tha Ismaili.
Ai theksoi se të gjitha problemet në Prishtinë janë të zgjidhshme, mjafton të dish si dhe të duash t’i zgjidhësh. Sipas tij, kryeqyteti ka potencial të plotë për t’u zhvilluar, por kjo kërkon një qeverisje të përgjegjshme.
Për dallim nga kryetari aktual, Ismaili tha se ai nuk do ta fshijë listën e premtimeve kur të vijë koha për t’u përballur me qytetarët, por do të japë llogari mbi bazën e zotimeve të tij specifike, numerike dhe të matshme.