Universiteti i Prishtinës ka bërë një postim në Facebook lidhur me nderimin që i bëri dje presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Ata u nderuan me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”.
UP thotë se Osmani e Kurti ishin studentë të UP’së, ndërsa Osmani e dhe pjesë e personelit akademik.
“Në fjalimin e saj para të pranishmëve, Presidentja Vjosa Osmani, e cilësoi UP-në hapësirë të lirisë së mendimit dhe zemër të jetës akademike të vendit. „Një komb që nderon dijen nuk ka asnjë arsye të frikësohet nga e ardhmja”, konstatoi zonja Osmani. Kryeministri Albin Kurti tha se profesorët dhe studentët e UP-së mund t’i japin Prishtinës dhe Kosovës figurat e së ardhmes. Me rastin e 1 Tetorit, „Ditës së Studentëve”, Shoqata Alumni UP ua ndau çmimin „Alumni Nderi të Universitetit të Prishtinës” Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.Me këtë rast, Rektori prof. Arben Hajrullahu tha se „ka pak ose fare hiç universitete gjithandej në botë që i ndihmuan aq shumë përndritjes dhe shtetësisë së një shoqërie e vendi, ashtu siç bëri gjatë tërë historisë së tij Universiteti i Prishtinës”. Krahas fjalimeve, ceremonia solemne e nderimit të krerëve të shtetit u shoqërua edhe me një pikë artistike nga profesoresha e Fakultetit të Arteve dhe sopranoja Besa Llugiqi që performoi nën shoqërimin me piano të profesoreshës së po këtij fakulteti, Lirika Pula.”
UP shton se shoqata Alumni e UP’së më herët ka nderuar edhe ish presidenten Atifete Jahjaga.
“Shoqata Alumni e UP-së më herët çmimin „Alumni Nderi” ia kishte ndarë edhe Presidentes Atifete Jahjaga. Kjo shoqatë e themeluar në vitin 2018, ka për qëllim të mbledhë rreth vetes të diplomuarit e UP-së për të ndihmuar universitetin me përvojën e tyre në fushat e ndërkombëtarizimit, rrjetëzimit dhe mbledhjes së fondeve. Universiteti i Prishtinës njërin nga prioritetet e tij e ka lidhjen me ish-studentët dhe të diplomuarit që kanë bërë emër e karrierë kudo nëpër botë dhe në Kosovë. Ceremonia e nderimit të Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë u transmetua direkt edhe në RTK.”
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...