string(81) "universiteti-i-prishtines-informon-maturantet-per-studimet-dhe-mundesite-qe-ofron"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 12:35

Universiteti i Prishtinës informon maturantët për studimet dhe mundësitë që ofron

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 12:35

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës organizoi aktivitetin “Promovimi i Universitetit të Prishtinës në shkollat e mesme”, me qëllim të informimit të maturantëve për programet studimore dhe mundësitë që ofron UP-ja, raporton EO

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, theksoi rëndësinë e zgjedhjes së universitetit dhe e cilësoi UP-në si qendrën ku gjenerohet dija dhe hapen perspektivat për të ardhmen.

“Sigurisht, nëse do të kisha mundësinë edhe një herë të isha student, edhe pse në një kohë tjetër, prapë do ta bëja të njëjtin vendim dhe do të aplikoja në UP. Kur të bëheni pjesë e universitetit, atëherë nuk ka rëndësi se në cilin drejtim studioni, sepse jeni në qendër, në qendrën ku gjenerohet dija dhe hapen perspektivat për të ardhmen. I ftoj të gjithë maturantët që të marrin informata dhe dije të bazuara, sepse jo vetëm që do të korrni sukses, por edhe do të shijoni një periudhë të veçantë, më energjike dhe më të bukur të jetës, periudhën e të qenët student dhe studente. Sot keni mundësi të informoheni për drejtimet dhe programet që ju interesojnë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit Studentor, Plaurat Krasniqi, u shpreh se UP-ja është më shumë se një institucion arsimor.

“Që sot jeni mysafirët më të rëndësishëm. Ju drejtohem në këtë organizim, ndërsa ndodheni në prag të një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës suaj: zgjedhjes së rrugës së studimeve dhe të profesionit të ardhshëm. UP-ja është më shumë se një institucion arsimor. Është një histori, një traditë dhe një shpresë për të ardhmen. Është vendi ku janë krijuar mijëra kuadro, intelektualë dhe profesionistë të të gjitha fushave, të cilët kanë dhënë kontribut për shoqërinë në Kosovë dhe përtej saj. Do të keni mundësi të shihni nga afër programet që ofron universiteti”, tha ai.

Maturantët u ftuan të shfrytëzojnë këtë mundësi për të marrë informacione të drejtpërdrejta rreth programeve dhe drejtimeve studimore.