Universi i përqendrimit – Të mbyturit dhe të mbijetuarit - Gazeta Express
string(54) "universi-i-perqendrimit-te-mbyturit-dhe-te-mbijetuarit"

Universi i përqendrimit – Të mbyturit dhe të mbijetuarit

Arte

Donjeta Abazi

08/02/2024 16:04

Kujtesa e historisë famkeqe të ngjarjes që tronditi botën në Luftën e Dytë Botërore, Kampi i Auschwiz-it, erdhi në formë letrare, mbrëmë në Librarinë ‘Dukagjini’. Libri i Primo Levit, shkrimtarit i cili në fakt ishte kimist me profesion, i përkthyer në gjuhën shqipe sëfundmi, u promovua mbrëmë në praninë e profesorit Fabio Levit, përkthyeses Aida Baros dhe historianit Durim Abdullahut

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është një libër me ese i Primo Levi-t, shkruar më 1986, një vit para se ai t’i jepte fund jetës së tij. Në këto ese, Levi analizon gjithë universin e kampeve të përqendrimit, duke u nisur nga përvoja e tij personale si i burgosur në Auschwitz, në kampin nazist të shfarosjes. Më pas e zgjeron vështrimin në përvojat e ngjashme të historisë së afërme, mes të cilëve edhe mbi gulagët sovjetikë.

Fabio Levi (1949), është profesor nderi i Historisë Bashkëkohore në Universitetin e Torinos. Aktualisht, ai është president i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Primo Levi, në themelimin e së cilës ka dhënë një kontribut të madh, si dhe e ka drejtuar për tre mandate. Në fazën e parë të karrierës së tij shkencore, ai u mor me historinë shoqërore dhe atë të industrisë. Që nga fundi i viteve 1980, ai studioi veçanërisht ngjarjet e persekutimit antihebre në Itali, duke botuar libra të ndryshëm mbi këtë temë.

I ftuar në diskutim për të ndarë pjesë nga libri më i ri i Primo Levit i botuar në gjuhen shqipe, Fabio Levi tregon emotiven krahas anës tjetër të strukturës së këtij libri.

“Libri i botuar më 1986 që trajton çështje në lidhje me holokaustin, flet për mbijetesë. Një vepër prekëse në të cilën një artist e ndan përvojën personale që e ka përjetuar, ofron një vështrim unik mbi gjendjen e njeriut dhe aftësinë e tij për të kryer akte çnjerëzore. “Të mbyturit dhe të mbijetuarit” ngre paralele mes ekzekutuesve dhe të ekzekutuarve.”

Ndër të tjera, sipas Fabio Levi-t, autori kishte ndarë përvojat me studentët e tij, me nxënësit e shkollave të mesme, duke krijuar një ide së çka mendojnë këta të rinj për një mizori të mëhershme. Madje Levi do të fillonte të interesohej për të mbijetuarit tjerë të cilët kishin filluar ta harronin kampin dhe ndodhinë aty sikur të kishte ndodhur shekuj më parë.

“Libri ndahet në 8 kapituj, kapitulli i parë cilësohet si kapitull i kujtesës së poshtërimit, një kujtesë që i ka shërbyer edhe atij edhe atyre pak të mbijetuarve. Kapitulli 3 dhe 4 përmblidhen si Zona gri dhe Turpi. Tek kapitulli 3 Primo Levi ka një ndjenjë paradoksale të turpit, ndihet në faj pse ka shpëtuar, sikur nganjëherë autori mendon që ka zënë vendin e tjetrit, nëse ai do të vdiste do të shpëtonte një tjetër, një ndjesi sikur nuk i ka ndihmuar shokut, etj”.

Aida Baro, si përkthyese ka sjellë në shqip vepra të autorëve italianë, si: Italo Calvino, Goliarda Sapienza, Primo Levi, Alberto Moravia, Pier Paolo Pasolini, Giuseppe Ungaretti etj. Për mbi 15 vjet ka dhënë kontribut në fushën e përkthimit audio-vizual, me përkthime të kinemasë italiane.  Në vitin 2017, u nderua me Çmimin Kombëtar të Përkthimit, akorduar nga Ministria e Kulturës, për përkthimin e veprës “Armëpushimi” të Primo Levit.

Pikërisht mbi përkthimin e një libri tjetër testament, Baro thotë se kishte sfidat e veta e padyshim që njëra ndër peripecitë është edhe empatia, futja nen lëkurë me autorin në këtë rast, Primo Levin

“Përkthimi i këtij libri ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme sepse nuk është më një letërsi, nuk është më një trill, nuk është fiction, por janë ese, duan vëmendje shumë më të ftohtë. Në ka një gjë të sigurt për një përkthyes ai është dyshimi ose të paktën kështu mendoj unë. Dyshimi së pari vjen nga leximi i tekstit burimor nga kuptimi i tij, nga futja në lëkuren e autorit (njohja e tij sa më e thellë) dhe interpretimi që i bëjmë dhe pastaj vijmë në gjetje e ekuivalentit sa më të saktë kuptimor të fjalës. Puna përkthimore në ‘Të mbyturit dhe të shpëtuarit’  ka nisur qysh në leximin e parë të ‘A është vallë njeri…’ në fakultet, pastaj me redaktimin e këtij libri më 2016 kur botimet ‘Pegi’ bënë një botim të rishikuar.”

Njohësi dhe në një farë forme koleksionisti i librave mbi Holokaustin, njëkohësisht historiani Durim Abdullahu e sheh të domosdoshme përkthimin e librave me tematikë të tillë në gjuhen shqipe.

“Një pjesë e mëdha e krye veprave të letërsisë me tematikë mbi holokaustin ende mungojnë në gjuhën shqipe. Sa herë që përkthehet një libër i ri aq më tepër një prej atyre që mban kryeveprat më të njohura dhe më të rëndësishme mbi holokaustin siç është ‘Të mbyturit dhe të shpëtuarit’ është një botim për t’u shënuar në gjuhen shqipe.”

Në pyetjen se sa ndikojnë librat që janë me kujtime, Abdullahu përmend faktin që dorëshkrimet e tilla mbajnë në foto edhe informata tjera të rëndësishme të cilat dokumentojnë gjendjen e kampit të Auschwiz-it në atë periudhë.

“Mjafton ta marrim shembull një libër tjetër të Primo Levit që njihet shumë pak, ‘Raporti i Auschwiz-it’ e që në fakt më shumë është një dokument, të cilin ai e ka shkruar në ditët e para pas lirimit nga Auschwitz bashkë me një doktor tjetër italian po ashtu i burgosur që nuk ka më shumë së 40 faqe dhe që po të nisemi nga saktësia dhe evidentimi brenda kampit të Auschwizi-t është një raport për gjendjen sanitare në kamp ku tregohen kushtet në të gjitha zonat e kampit dhe sëmundjet të përhapura mes të burgosurve”.

Ndonëse ka përjetuar gjithçka në vetë të parë, ai rrëfen me kthjelltësi dhe ftohtësi mekanizmat që shpien në krijimin e “zonave gri” të pushtetit mes dhunuesve dhe të dhunuarve, korrupsionin ekonomik, zvetënimin moral të njerëzve që jetojnë në këto sisteme kampesh përqendrimi, qëllimet dhe shfrytëzimet politike dhe shoqërore të këtyre sistemeve, përsëritjen e dinamikave të ngjashme të sjelljeve njerëzore në realitetin e sotëm të përditshmërisë.

Libri është njohur dhe pranuar botërisht si një vepër e lartë mbi natyrën e së keqes dhe atë të njeriut.

Kujtojmë që libri “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” do të promovohet edhe në Tiranë sot te Qendra “Sotir Kolea” Biblioteka e vjetër (përballë parlamentit).

/Gazeta Express