Unitedi gjobitet me 20 mijë funte për incidentin kundër Liverpoolit - Gazeta Express

Unitedi gjobitet me 20 mijë funte për incidentin kundër Liverpoolit

Sport

Gazeta Express

24/01/2020 14:13

Manchester Unitedi është dënuar me 20 mijë funte nga Federata e Futbollit e Anglisë shkaku i reagimit të ashpër të lojtarëve të vet ndaj gjyqtarit në një moment të pjesës së parë të ndeshjes kundër Liverpoolit të dielën.

Lojtarët e Manchester Unitedit e rrethuan gjyqtarin Craig Pawson gjatë pjesës së parë të disfatës me rezultat 2:0 në Anfield, pasi Virgil Van Dijk e kishte bërë një ndërhyrje ndaj David de Geas në ajër, transmeton Gazeta Express.

Roberto Firmino e kishte shënuar një gol mbresëlënës në momentet pas atij incidenti, mirëpo goli i tij u anulua nga VAR-i shkaku i përplasjes së Van Dijkut me portierin e Manchester Unitedit.

De Gea ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari Pawson shkaku i protestave të tij gjatë këtij incidenti.

Federata e Futbollit e Anglisë tani ka ndërmarrë masa ndaj Djajve të Kuq, pasi që klubi u shpall fajtor për shkeljen e rregullës E20(a).

“Manchester Unitedi është gjobitur me 20 mijë funte, pasi që e ka pranuar se e ka shkelur rregullën E20 të Federatës së Futbollit të Anglisë dhe e ka pranuar dënimin standard për këtë shkelje”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

“Klubi nuk arriti të sigurojë se lojtarët do të silleshin në mënyrë të rregullt gjatë minutës së 26-të gjatë ndeshjet së Premierligës kundër Liverpoolit më 19 janar të vitit 2020”.  /Gazeta Express/