Manchester Unitedi po intensifikon përpjekjet për të transferuar Bruno Guimarães si zëvendësues të mundshëm të Casemiro, ndërsa bashkëpronarët e klubit nga “INEOS” kanë identifikuar Bradley Barcola si pasues të mundshëm të Marcus Rashford.
Prej kohësh raportohet se United dëshiron të përforcojë mesfushën me lojtarë cilësorë gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas raportimeve nga “TeamTALK”, klubi planifikon të shpenzojë rreth 200 milionë paund për transferime këtë verë, nëse trajneri i përkohshëm Michael Carrick arrin ta kualifikojë skuadrën në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori i Newcastle United, Bruno Guimarães, është një nga objektivat kryesorë të klubit anglez.
Raportimet thonë se United ka qenë “pretendenti më serioz në ditët e fundit” për mesfushorin brazilian.
Madje, Casemiro thuhet se e ka rekomanduar personalisht bashkëkombësin e tij te drejtuesit e Manchester United.
Newcastle pritet të kërkojë rreth 100 milionë paund për kartonin e Guimarães, ndërsa raportimet tregojnë se United ka bërë tashmë “kontakte joformale” për transferimin e tij dhe mund të ofrojë rreth 80 milionë paund për ish-lojtarin e Olympique Lyonnais.
Në të njëjtën kohë, gazetari i transferimeve Ekrem Konur raporton se United po synon edhe anësorin e Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, si zëvendësues të mundshëm për Marcus Rashford.
Rashford aktualisht është i huazuar te Barcelona dhe pritet të transferohet përfundimisht në klubin katalanas.
Sipas raportimeve, Manchester United e sheh Barcola si një nga alternativat më të rëndësishme për të zëvendësuar sulmuesin anglez.
Ndërkohë, United po monitoron edhe mesfushorin tjetër të Newcastle, Sandro Tonali.
Klubi anglez e konsideron italianin si një zëvendësues afatgjatë për Casemiron, i cili pritet të largohet nga “Old Trafford” në fund të sezonit./GazetaExpress/