Manchester Unitedi po përgatit strategjinë për verën dhe një emër ka dalë në plan të parë: Adam Wharton.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre, duke e konsideruar mesfushorin si objektivin kryesor për merkato.
Me një vlerë të raportuar rreth 50-60 milionë paund, Wharton nuk shihet thjesht si një transferim, por si pjesë e një ndryshimi filozofik drejt rinisë, kontrollit dhe planifikimit afatgjatë.
Brenda klubit ekziston bindje e plotë për këtë lëvizje, edhe pse janë monitoruar edhe alternativa si Sandro Tonali dhe Carlos Baleba.
22-vjeçari, që aktualisht luan për Crystal Palace, vlerësohet për qetësinë me topin, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të kontrolluar ritmin e lojës – elemente që i kanë munguar United për disa sezone. Ai përshkruhet si një lojtar që “sjell qetësi aty ku ka pasur kaos”.
Karriera e tij ka qenë në rritje të vazhdueshme, duke u zhvilluar fillimisht te Blackburn Rovers, ku bëri 44 paraqitje në Championship dhe fitoi reputacion si një talent i madh në mesfushë.
Transferimi te Crystal Palace për rreth 18 milionë paund tashmë konsiderohet goditje e qëlluar, pasi ai është kthyer në “zemrën” e mesfushës së ekipit.
Ndërkohë, largimi i mundshëm i Casemiro duket gjithnjë e më i afërt, edhe për shkak të pagës së lartë prej rreth 350 mijë paund në javë, që shihet si pengesë për planet e reja financiare dhe taktike të klubit.
Për vite me radhë, United ka pasur probleme në gjetjen e një mesfushori defensiv dominues, dhe Wharton shihet si zgjidhja ideale. Madje ka optimizëm se ai mund të ketë ndikim të ngjashëm në ekip si legjenda Roy Keane, jo në stil, por në autoritet dhe rol në skuadër.
Një faktor kyç do të jetë kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Nën drejtimin e Michael Carrick, performancat e ekipit janë përmirësuar dhe besimi është rikthyer.
Brenda klubit besohet se një projekt i ri është duke u ndërtuar dhe Wharton mund të jetë themeli i kësaj epoke të re. Nëse sigurohet futbolli evropian, gjasat për transferimin e tij rriten ndjeshëm, ndërsa për momentin gjithçka tregon se United është gati të veprojë me vendosmëri./GazetaExpress/