Mesfushori Carlos Baleba po përjeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij të re. Në moshën 21-vjeçare, lojtari kamerunas i Brighton është kthyer në një nga surprizat më të mëdha të Premier Leagues dhe, njëkohësisht, në një nga objektivat kryesorë të Manchester United për forcimin e mesfushës në sezonet e ardhshme.
Manchester United po e ndjek me kujdes progresin e Carlos Balebas. Sipas Sky Sports, “Djajtë e Kuq” e kanë vendosur atë si prioritet për verën e vitit 2026, kur klubi planifikon të bëjë një investim të madh për të përforcuar skuadrën. Drejtuesit sportivë në “Old Trafford” besojnë se mesfushori i Brighton zotëron cilësitë ideale për të udhëhequr projektin e ri: rini, fizikalitet dominues dhe një aftësi të rrallë për të ecur me topin përpara – tipare që janë të vështira për t’u gjetur në tregun aktual.
Pengesa kryesore mbetet çmimi i tij. Brighton nuk ka ndërmend të ndahet lehtë me një nga xhevahirët e saj më premtues dhe e ka bërë të qartë se nuk do të marrë parasysh oferta nën 100 milionë euro. Megjithëse shifra është e lartë, ajo nuk i tremb drejtuesit e United, të cilët e dinë se potenciali i Baleba-s mund ta justifikojë një investim të tillë në afatmesëm.
Brighton e vlerëson shumë progresin e tij. Që nga ardhja nga Lille, zhvillimi i Balebas ka qenë i vazhdueshëm. Forca e tij fizike, inteligjenca taktike dhe aftësia për të thyer linjat me depërtimet e fuqishme e kanë bërë një pjesë kyçe në skemën e ekipit nga jugu i Anglisë.
Klubi e di se ka në duar një aset strategjik. Në moshën 21-vjeçare, Baleba jo vetëm që sjell ekuilibër, por ka edhe një hapësirë të madhe për përmirësim. Në Brighton janë të bindur se nëse ai vazhdon me këtë ritëm, vlera e tij në treg mund të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme – prandaj qëndrimi i klubit është i prerë: nuk do të shitet me çdo kusht, sidomos para se të arrijë pjekurinë e plotë futbollistike.
Carlos Baleba ka treguar se është më shumë se një mesfushor mbrojtës. Në sezonin e fundit, ai dha paraqitje vendimtare – si goli i tij i paharrueshëm në minutën e 92-të kundër West Hamit, që i dha fitoren 3-2 skuadrës dhe e bëri protagonist në mediat kryesore angleze. Ai gol simbolizoi shpirtin e tij luftarak dhe aftësinë për të shkëlqyer në momentet vendimtare.
Fiziku dhe leximi i lojës e bëjnë atë një nga mesfushorët më të plotë në Premier League. Megjithatë, ai ka kaluar edhe periudha pasigurie për shkak të moshës së re dhe ritmit të lartë të kampionatit anglez. Brighton e pranon se ende ka aspekte taktike për t’u përmirësuar, por nuk ka dyshim se kamerunasi është i destinuar të bëhet një figurë e rëndësishme në futbollin europian.
Manchester United e sheh Carlos Baleban si pasardhësin natyral të Casemiros, kontrata e të cilit skadon në vitin 2026. Drejtuesit sportivë e konsiderojnë atë mesfushorin që mund të sjellë ekuilibrin e ri në ekip – më modern, më dinamik dhe me perspektivë afatgjatë për dekadën e ardhshme.
Megjithatë, koha luan rol kyç. Brighton nuk ka ndërmend të shesë lirë, ndërsa United nuk dëshiron të nxitojë. Plani është ta vëzhgojnë në sezonet e ardhshme dhe të veprojnë në momentin e duhur. Rreziku, sigurisht, është që gjigantë të tjerë si Bayern apo PSG të ndërhyjnë dhe ta rrisin më tej koston e operacionit.
Për momentin, e ardhmja e Carlos Balebas mbetet në Brighton, ku ai ka fituar respektin dhe admirimin e bashkëlojtarëve dhe kundërshtarëve. Megjithatë, gjithçka tregon se emri i tij do të përmendet gjithnjë e më shpesh në zyrat e “Old Trafford”. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Manchester United mund të ketë në duart e veta mesfushorin që do të përcaktojë një epokë të re në Premier League./GazetaExpress/