Unitedi arrin marrëveshje për transferimin e Koulibaly - Gazeta Express

Unitedi arrin marrëveshje për transferimin e Koulibaly

Sport

Gazeta Express

15/01/2020 9:13

Manchester Unitedi raportohet se ka arritur marrëveshje për ta transferuar qendërmbrojtësin e Napolit, Kalidou Koulibalyn, gjatë afatit kalimtar të verës për rreth 70 milionë euro.

Kalidou Koulibaly kishte qenë i kërkuar edhe nga Arsenali dhe Tottenhami, mirëpo, sipas mediave italiane, Manchester Unitedi e ka fituar këtë garë kundër rivalëve të Premierligës, transmeton Gazeta Express.

Senegalezi është bërë njëri ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë, falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse. 28-vjeçari nuk pritet t’i bashkohet Djajve të Kuq deri këtë verë, mirëpo ai do të ishte një ndihmë e madhe për Manchester Unitedin gjatë sezonit të ardhshëm.

Klubi anglez do të ishte i gatshëm t’i shpenzonte këto para për Koulibalyn edhe tani, mirëpo Napoli preferon të presë deri në fund të sezonit.

Nëse transferimi zyrtarizohet, atëherë kjo do të ishte hera e dytë që Unitedi shpenzon shuma të mëdha parash për transferimin e një qendërmbrojtësi. Gjatë verës së kaluar, anglezët i paguan 80 milionë funte për Harry Maguire.

Koulibaly ka qenë në Napoli që nga viti 2014, kur u transferua nga Genku. Ai e zuri menjëherë një vend në ekipin e parë, duke qenë mbresëlënës edhe në Serie A edhe në Ligën e Kampionëve për klubin italian. /Gazeta Express/