United, i bindur se Pogba s’do të largohet - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

25/03/2020 8:29

United, i bindur se Pogba s’do të largohet

Sport

Gazeta Express

25/03/2020 8:29

Mediumi i madh amerikan ESPN raporton se drejtuesit dhe stafi i trajnerëve të Manchester Unitedit besojnë se mesfushori Paul Pogba do të qëndrojë në klub përtej këtij sezoni, pasi që janë të bindur se asnjë klub s’do të mundë ta përballojë transferimin e tij këtë verë.

Pas shumë muajve spekulime për të ardhmen e tij, mesfushori francez pritej të largohet nga Old Traffordi në fund të këtij sezoni, pasi që ai hyn në dy vjetët e fundit të kontratës së tij, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi dhe Juventusi ishin përfolur si dy opsionet favorite për Pogban gjatë verës së kaluar. Pogba dhe agjenti i tij, Mino Raiola, i kishin nxitur shpeshherë vetë këto spekulime me deklaratat e tyre.

Mirëpo Djajtë e Kuq dyshojnë se ndonjë klub do të mundë ta përballojë financiarisht transferimin e Pogbas gjatë afatit kalimtar të verës. Manchester Unitedi e vlerëson Pogban me 100 milionë funte dhe ai për momentin paguhet rreth 300 mijë funte në javë në Old Trafford.

Për më tepër, 26-vjeçari – i cili ka luajtur vetëm në tetë ndeshje këtë sezon shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës – thuhet se dëshiron ta dëshmojë vlerën e tij të vërtetë në skuadër dhe beson se mund ta luajë ende një rol të madh në tentimin për të sjellë suksese në “Teatrin e Ëndrrave”.

Mënyra se si Manchester Unitedi e përfundon sezonin, veçanërisht nëse Djajtë e Kuq arrijnë të kualifikohen për Ligën e Kampionëve, pritet ta ketë një ndikim të madh në vendimin e Pogbas për të ardhmen e tij këtë verë.

Pogbas i ka bërë më së shumti përshtypje ndikimi që portugezi Bruno Fernandes e ka pasur në skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer dhe ai beson se mund ta krijojë një partneritet emocionues në mesfushë me të. /Gazeta Express/