Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve në Shqipëri për një tjetër rritje të pagave ka ngjallur reagimin e fortë të Kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi këtë si një “abuzim madhor” që prek edhe themelet kushtetuese të shtetit.
“Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!”, shkruan Rama, duke e quajtur praktikën “unikale, të padëgjuar dhe të panjohur në historinë e shteteve”, që gjyqtarët të përcaktojnë vetë pagat përmes vendimeve gjyqësore.
Kryeministri kujtoi se një rast i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2022, kur Unioni kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të barazohej me atë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit. Gjykata e pranoi kërkesën, duke çuar në një pagë bazë prej 156,000 lekësh.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
“Interesante!
Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!
Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!
Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.
Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!
Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishte një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë”.