"Unë s’kam shtëpi, jo më biznes", Zbulohet një tjetër “pronare” e një kompanie të lidhur me inceneratorët - Gazeta Express
string(98) "une-skam-shtepi-jo-me-biznes-zbulohet-nje-tjeter-pronare-e-nje-kompanie-te-lidhur-me-inceneratoret"

“Unë s’kam shtëpi, jo më biznes”, Zbulohet një tjetër “pronare” e një kompanie të lidhur me inceneratorët

Shqiperi

Gazeta Express

05/07/2022 18:50

Skandali i evazionit fiskal të inceneratorëve vazhdon të thellohet, një tjetër çift të moshuarish figurojnë se kanë kryer transaksione miliona euro me kompani të lidhura me impiantet e përpunimit të mbetjeve.

Një bisedë telefonike e zhvilluar me zonjën Ruzhdije Meta nga Lezha, e publikuar nga Syri.tv, tregon se zonja Ruzhdije mbrëmjen e djeshme ka marrë vesh se emri i saj figuron në listën e pronarëve të kompanive të inceneratorëve.

Lexo Edhe:

Ajo u shpreh se nuk njeh asnjë nga emrat e përmendura në këtë skandal.

“Jo, jo nuk i njoh fare. Nuk dimë asgjë fare. Tani do gjejmë kush janë ata njerëzit dhe të dimë si të reagojmë. Unë mbrëmë e kam parë, jam pa gjumë gjithë natën, nuk e di.”- tregon zonja.

LEXO EDHE: Figuron me 30 mln dollarë nga inceneratorët, flet 90-vjeçarja: Nuk kam asnjë biznes, jetoj në azil

Ruzhdije Meta tregoi se ajo jeton me bashkëshortin, Shkëlqim Meta në apartamentin e vëllait të saj, pasi banesa e saj e mëparshme është shembur.

“Aman mos e pyet, ne jemi pa shtëpi moj zemër. Ne nuk kemi shtëpi, jo biznes. Ne rrimë tek vëllai im, na ka strehuar ai se na është shembur shtëpia. Ne nuk kemi shtëpi e jo më të jemi biznesmenë. Ne s’kemi bukë të hamë.”– tregon Ruzhdije Meta.

Biseda me zonjën

Gazetarja: Përshëndetje si jeni? Me zonjën Ruzhdije Meta po flas?

Ruzhdije Meta: Po

Gazetarja: Desha t’ju pyes nëse jeni në dijeni që keni dalë si biznesmene e një kompanie për inceneratorët?

Ruzhdije Meta: Po e kam parë në televizor.

Gazetarja: Kishit dijeni ju për këtë?

Ruzhdije Meta: Jo, nuk dinim asgjë.

Gazetarja: A dyshon që mund të të ketë marrë dikush ndonjë kartë ID, ndonjë numër?

Ruzhdije Meta: Nuk e di, çfarë s’po bëhet në këtë dynja.

Gazetarja: Apo keni firmosur diçka?

Ruzhdije Meta: Jo, jo.

Gazetarja: Shkëlqim Meta është bashkëshorti juaj?

Ruzhdije Meta: Po, po.

Gazetarja: Domethënë, ju që të dy, Shkëlqim Meta dhe Ruzhdije Meta keni dalë si biznesmenë. Edhe për burrin tuaj e keni marrë vesh?

Ruzhdije Meta: Aman mos e pyet, ne jemi pa shtëpi moj zemër. Ne nuk kemi shtëpi, jo biznes. NE rrimë tek vëllai im, na ka strehuar ai se na është shembur shtëpia. NE nuk kemi shtëpi e jo më të jemi biznesmenë. Ne s’kemi bukë të hamë.

Gazetarja: Sa veta jeni në familje?

Ruzhdije Meta: Vetëm ne të dy jemi, burrë e grua.

Gazetarja: Po si jua kanë marrë të dhënat, a keni ndonjë dyshim?

Ruzhdije Meta: Nuk dimë asgjë. Po kartat tona nga nuk po shkojnë. Ku u gjetën ato të partive që dolën njëherë.

Gazetarja: Për patronazhistët e keni fjalën?

Ruzhdije Meta: E kur dolën lloj lloj të dhënash karte ID atëhere, se di.

Gazetarja: Ata emrat që kanë dalë nuk e di i keni parë në televizor, që ju kanë përfshirë?

Ruzhdije Meta: Nuk njoh asnjeri aty.

Gazetarja: Dashamir Ymeraj e njeh?

Ruzhdije Meta: Jo, jo.

Gazetarja: Eneidi Zeqo e njeh?

Ruzhdije Meta: Jo, jo nuk i njoh fare. Nuk dimë asgjë fare. Tani do gjejmë kush janë ata njerëzit dhe të dimë si të reagojmë. Unë mbrëmë e kam parë, jam pa gjumë gjithë natën, nuk e di.

Gazetarja: Keni menduar ta hidhni në gjyq?

Ruzhdije Meta: Të shikojmë njëherë. Të gjejmë kush janë njerëzit, pastaj të bëjmë diçka.

Gazetarja: Ju nuk keni shtëpi apo jo? Jetoni tek vëllai?

Ruzhdije Meta: Unë jetoj tek vëllai, kam pasur shtëpinë në Laprakë por ma ka shembur shteti dhe nuk kam shtëpi, jam pa shtëpi.