«Unë jam sot këtu falë kujdesit tim, jo falë të drejtës sime!» - Gazeta Express
string(58) "une-jam-sot-ketu-fale-kujdesit-tim-jo-fale-te-drejtes-sime"

OP/ED

Gazeta Express

12/08/2025 14:03

«Unë jam sot këtu falë kujdesit tim, jo falë të drejtës sime!»

OP/ED

Gazeta Express

12/08/2025 14:03

Nuk është ideali të jemi këtu, të mbijetojmë, falë kujdesit tonë, në kohën e ushtrimit të së drejtës sonë; ideali është të jemi të kujdesshëm ndaj tjetrit në kohën e ushtrimit të natyrshëm të së drejtës së tij

Arben Idrizi

Mbrëmë kanë ndodhur dy ngjarje tragjike të lidhura me komunikacionin. Një aksident me pasoja fatale, për shkak të shpejtësisë së lartë, dhe një vrasje për parking. Më poshtë është një tekst që kisha shkruar disa orë më herët.

***

Nuk e di të më ketë ndodhur ndonjëherë më parë të bluaj në mendje për një kohë kaq të gjatë një tekst të kësaj natyre dhe pothuajse të ndihem tërësisht i mposhtur, pa mundur të gjej dot fjalët e duhura, të thjeshta dhe të rrahura me çekan, për ta hedhur në letër. Ndoshta edhe ngase si rrallë ndonjëherë është diçka që e ndiej aq fuqishëm, sa të më duket se çdo parashtrim tekstual, kundruall asaj ideje pra kaq të urgjente dhe të trishtë, do të ishte një lloj sakrilegji.

Sa për fillim dhe nëse do të më duhej të kufizohesha në një sentencë të vetme (po të më kërkohej të përkufizoja sot vendin tim), do të shprehesha kësisoj:

«Unë jam sot këtu falë kujdesit tim, jo falë të drejtës sime!»

***

Kur merrni raportin policor 24 orësh, vëreni një statistikë, prej vitesh tashmë, pothuajse konstante të shifrave të gjobave të shqiptuara nga organet e rendit në trafik. Mesatarja është rreth 2000 gjoba në 24 orë.

A është kjo normale për një vend me popullsinë e Kosovës? A i bie po ashtu që, nëse kemi këtë shifër, në të vërtetë, nga ana tjetër, kemi edhe minimumin e një shifre të njëjtë të gjobave të pashqiptuara (falja nga ana e forcave të rendit, mosprania e atyre forcave në vendin dhe kohën e shkeljes, etj.)?

Kur lexon pastaj përshkrimin e shkeljes, në përgjithësi bëhet fjalë për të njëjtat veprime të palejueshme: shpejtësia, mosrespektimi i semaforit, përdorimi i telefonit, etj. – shkelje ndaj të cilave luftohet vazhdimisht dhe ndaj të cilave s’ka, të paktën në parim, falje; dhe ndëshkimi i rreptë i të cilave, bashkë edhe me fushatat e vazhdueshme, pra do të duhej të mundësonte një vetëdijesim bukur të madh.

Por, trajektorja e shkeljeve vazhdon të jetë e njëjta, duke mos zbritur fare nën atë shifër të përmendur, dhe ndoshta, herë pas here, sidomos gjatë verës, me ardhjen e mërgimtarëve për pushime në vendlindje, duke pësuar edhe një ngritje bukur të frikshme.

***

Sigurisht, policia e Kosovës dhe institucione të tjera përkatëse, organizojnë fushata vetëdijësuese rreth sjelljes në trafik. Nuk e di cila është a do të duhej të ishte më efikasja. Gjatë kësaj kohe që po vrisja mendjen rreth këtij teksti, më rastisi të rilexoja një tregim antologjik të Stig Dagmermanit. Në të vërtetë, në parathënien në anglisht të një botimi të ri, përkthyesi na pajis me një informacion, të cilin as që e kisha pasur dhe tek i cili as që do të më kishte shkuar mendja kurrë: ai tregim i papërsëritshëm, në të vërtetë ishte shkruar si përgjigje ndaj një konkursi të organizuar nga policia suedeze, në kuadër të një fushate vetëdijësuese të sjelljes në trafik. Tregimi “Vrasja e një fëmije”, na thotë, pak a shumë, se, sigurisht, secilit nga ne mund të na bëjë vaki të kemi një moment të tillë të pakthyeshëm, rezultati tragjik i të cilit është mbytja e një qenieje njerëzore me makinën të cilës ishim duke i dhënë më shpejt se sa që është e lejuar. Ideja është e qartë: nuk është e lejueshme, as e lejuar, nuk duhet të lejojmë veten të ngasim makinën, aq më pak në një vendbanim, mbi shpejtësinë e lejuar, mbi shpejtësinë që praktikisht, në rast përplasjeje (dhe në ambiente të tilla ajo përplasje është më e afërt se këmisha në trup), sjell pashmangshmërisht vdekjen.

***

Unë personalisht jam ndër ata persona që përgjithësisht e përshkojnë qytetin në këmbë. Si këmbësor, do të thotë, jam një viktimë e rëndomtë e abuzimit të të drejtave të mia qytetare nga ngasësit, zota në rrota.

Problemi i parë sigurisht është mungesa e trotuareve të lira dhe të përshtatshme.

Problemi i dytë, më i llahtarshëm, është ngasja e makinave mbi shpejtësinë e lejuar dhe përdorimi konstant i telefonave nga ana e ngasësve.

Përpiqem vazhdimisht të kuptoj një gjë shumë të thjeshtë: si është e mundur që një person që është pajisur me lejen e vozitjes, pas një edukimi të caktuar trafikor, futet në rreth me shpejtësi marramendëse dhe turret drejt vendkalimit për këmbësor që është vetëm 5 metra më larg?

Si është e mundur që ai person, ligjërisht i kualifikuar për të ushtruar të drejtën e vozitjes, kalon mbi shpejtësinë e lejuar nëpër një rrugë në të cilën ka vendkalime për këmbësor çdo, minimumi, 30 metra?

Si është e mundur që derisa një i moshuar, një person i lodhur nga vapa e punët, një fëmijë, një grua është duke kaluar nëpër zebra, shoferi rehat në ulësen e butë dhe brendinë e freskët i turret me makinë për ta kërcënuar të kalojë më shpejt, e shan dhe e fyen si i marrë?

Si është e mundur që personi ka kaluar provimin për patën-shofer, gjatë të cilit i ka mësuar rregullat e komunikacionit, nuk ndalet të lodhë mendjen më të dijë se, në rrugën me më shumë se një korsi, nëse është ndalur para vendkalimit për këmbësor makina fqinje, do të thotë se është duke hyrë në vendkalim një këmbësor?

Si është të mos i shkojë mendja se nëse ka makina të parkuara anash dhe nuk ka shikueshmëri të kënaqshme, mundësia që të ketë këmbësorë, dhe fëmijë, në hyrje e sipër në vendkalim është absolutisht reale?

Si është e mundur që persona të edukuar për vozitje, me makina superluksoze, që ua mundësojnë të mbajnë telefonin (nëse çdo e folur e shoferit në telefon është e lejueshme) të mbërthyer në pajisjet e makinës, ashtu që të mund të ketë duart e lira për ta mbarështuar timonin, prapëseprapë e mbajnë atë në dorë? Si është e mundur që persona të edukuar në vozitje të shkruajnë në telefon teksa janë duke ngarë makinën në një rrugë vendbanimi, a kudo qoftë tjetër?

***

Siç e dini, ndër vite ka pasur arrestime të personave zyrtarë, instruktorëve të vozitjes. Akuza është e thjeshtë dhe e përhershme: marrja e parave nga kandidatët për pajisje me patentë-shoferi. Asnjë efekt të vetëm nuk e ka pasur kurrë asnjë arrestim i tillë: asnjëri nuk e ka humbur punën dhe asnjë kandidat nuk është inkurajuar të mos paguajë përtej obligimeve të tij ligjore.

Megjithatë, e gjithë kjo do të mund të lexohej edhe disi më ndryshe. Ky korruptim mban erë në distanca të pamatura.

E para: zyrtarët lehtësisht vetë-korruptohen dhe përbuzin ligjet që parimisht dhe ligjërisht që ua ndalojnë të vetë-korruptohen.

E dyta: kandidatët lehtësisht e pranojnë të vetë-korruptojnë dhe në të vërtetë. Asnjëri prej këtyre kandidatëve nuk e çan kokën fare të mendojë se, për të mirën e vendit dhe shoqërisë së tij, duhet të bëjë të paktën një përpjekje të vogël të mos vetë-korruptojë dhe të ndjekë ato rrugë, sigurisht të mundimshme, por të virtytshme, të ushtrimit të të drejtave të tij. Për të mos u futur dy e tri herë në provim, është i gatshëm të japë shumën e caktuar të korruptimit, të cilën ndonjëherë ndoshta as që e fiton fare me djersën e vet.

Dhe për mua ka qenë tmerrësisht e dhimbshme dhe e habitshme të shoh persona me cilësi të konsiderueshme qytetare dhe intelektuale të pranojnë pastaj lehtësisht këtë vetë-korruptim.

Nga ana tjetër, të mësuarit me këtë gjë, praktikimi i vazhdueshëm dhe i natyrshëm i këtij korruptimi po ashtu çon te një gjendje edhe më e rëndë: kandidati i ri, i cili i di praktikat e tilla korruptive, do t’i thotë vetes se në të vërtetë nuk ka pse ta marrë mundin fare (a mezi ka pritur të përfundojmë në këtë gjendje) të mësojë, thjesht do t’ia thajë paratë personit që merr rrogë për titullin e tij dhe zhvat qytetarët për xhepin e tij.

A e shpjegon kjo tani pse ai tipi me rrota futet në zebra me makinë me shpejtësinë e palejuar, është duke folur në telefon dhe të shan? Ngase, në të vërtetë, nuk e di nëse do ta shpjegonte pse mërgimtari ynë, me makinë gjashtëshifrore, i cili nuk bën asnjë shkelje në vendin e tij të mërgimit, kur vjen këtu sillet sikur të mos ketë marrë kurrë në jetën e tij as edukimin më të thjesht të ngasjes.

***

Tani më vjen në mendje edhe një praktikë tjetër e neveritshme e vetë-korruptimit: mbaj mend me vite të tëra se si qytetarët, të cilët përdornin transportin publik, nëse blinin biletën, kur zbrisnin ia vetë-dhuronin konduktorit që ta rishiste. Plaçkitja e shtetit konsiderohej vlerë. Dhe vëllazëria në korruptim ishte si çdo vëllazëri tjetër e dyshimtë.

***

Po nëse plaçkitja e shtetit është praktikë normale me dekada të tëra, pastaj ndodh që vetë shteti, me paaftësinë ose neglizhencën e tij, përmes nëpunësve të tij të korruptuar, politikanëve dhe personave të tjerë të plaçkitë individin, qytetarin. Dhe kjo të jetë një vëllazëri po ashtu e shtrenjtë, e tumirur dhe rekomanduar.

***

Gjithë kjo pasiguri në rrugë pra bën që këmbësori të harrojë të drejtën e tij elementare, të kalimit të sigurt në anën tjetër të rrugës, në vendin e caktuar. Ai nuk ndihet i mbrojtur nga e drejta, nuk mund ta ushtrojë të drejtën. Për këtë arsye, ai duhet t’i bëjë thirrje kujdesit personal, asaj që pak a shumë është gjeturia në një shoqëri të pazhvilluar, pa standarde të kënaqshme demokratike. Kujdesi në këtë rast është gjendje natyrore e njeriut, në kuptimin e asaj mungese të organizimit shoqëror.

Por vetëkujdesi mund të mungojë një ditë, në një moment të caktuar, të mjaftueshëm që të rezultojë me pasoja tragjike; andaj e drejta është më e sigurt. Vetëkujdesi nuk mund të jetë jetëgjatë dhe efikas. Nuk është ideali i shoqërisë së zhvilluar demokratike.

Prandaj rolet duhet të jenë të përmbysura: një shoqëri e zhvilluar edukon në kujdesin ndaj tjetrit, dhe ofron të drejtën që është e mjaftueshme. Ti bën kujdes që tjetri të mos cenohet në të drejtën e tij, tjetri e gëzon të drejtën e tij pa qenë i detyruar të thirret të vetëkujdesi parësisht.

Kujdesi duhet të jetë pra i tjetrit ndaj meje, e imja e drejta. Ashtu siç unë duhet të jem i kujdesshëm ndaj tjetrit, në ushtrimin e tij të së drejtës së tij.

Nuk është ideali të jemi këtu, të mbijetojmë, falë kujdesit tonë, në kohën e ushtrimit të së drejtës sonë; ideali është të jemi të kujdesshëm ndaj tjetrit në kohën e ushtrimit të natyrshëm të së drejtës së tij.

***

Natyrisht, hajvanët në xhip të zi nuk i kanë këto halle.