string(22) "une-argati-i-beogradit"

OP/ED

Gazeta Express

03/08/2023 15:17

Unë “argati i Beogradit”

OP/ED

Gazeta Express

03/08/2023 15:17

Së pari përpiqen të diskreditojnë, të bëjnë spiun, “njeri të Serbisë” dhe tradhtar që nuk ia do të mirën vendit tënd. Më pas të linçojnë dhe të godasin. Qasja dhe gjuha e njerëzve të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve po i rrezikon ata, duke iu krijuar klimë pasigurie në punë.

Imer Mushkolaj

Qindra komente fyese e kërcënuese kam marrë ditëve të fundit në rrjetet sociale, për postimet e mia që kanë pasur të bëjnë me rrezikun që iu kanoset gazetarëve nga qasja dhe gjuha e njerëzve të pushtetit që, nga militantë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje më të shpejtë “përkthehet” në sharje, fyerje, linçim e thirrje për vrasje.

“Ti po e mbështet Vuçiqin”, “argat i Beogradit”, “ti po e lufton Albinin”, “duhet me ju burgosë”, “duhet me ju vra” etj. janë vetëm disa nga komentet në adresë timen, në rrjetet sociale.

Njerëz të partisë në pushtet kanë zgjedhur që të sulmojnë e të përpiqen ta diskreditojnë secilin dhe secilën që është kritik ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij. Secili dhe secila që flet për skandalet në qeverisje, që kritikon mënyrën se si Kurti po e udhëheq shtetin, vihet në shënjestër të sulmeve. Pushteti po i konsideron kritikët armiq dhe po përpiqet t’i diskreditojë e delegjitimojë, para se armata e militantëve t’i “masakrojë” ata online dhe t’i kërcënojë edhe fizikisht. Gjuha e urrejtjes në platforma sociale nga militantë e simpatizantë të Vetëvendosjes dhe etiketimet “shpiun i Serbisë”, “shërbëtor i Vuçiqit”, “i shitun” etj. tashmë janë kthyer në normalitet.

Në protestën në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së fjalës, organizuar në fillim të javës në Prishtinë, pati provokime jo vetëm nga eksponentë të pushtetit, por edhe nga qytetarë – mbështetës të Kurtit, të cilët shanin e fyenin gazetarë. Sipas mendjes së tyre, protesta masive e gazetarëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile ishte kundër Kurtit, kundër Kosovës dhe pro Vuçiqit, pro Serbisë. Sipas mendjes së tyre, protestuesit nuk ia duan të mirën Kosovës dhe po e pengojnë Kurtin që të bëjë “punë të mira”. Sipas tyre, të gjithë gazetarët paguhen nga Serbia dhe Rusia, me qëllim që ta rrëzojnë Kurtin.

Kjo mendësi është e rrezikshme dhe fare lehtë mund të shndërrohet në rrezik permanent për të gjithë gazetarët dhe opinionistët që vetëm e bëjnë punën e tyre.

* * *

Qëllimi i pushtetit është që betejën me Klan Kosova ta paraqesë si betejë me një biznes, por jo me një media. Megjithatë, qëllimi është krejt tjetër. Duke u përpjekur që këtë media ta lidhin në çfarëdo mënyre me Serbinë, ashtu si dhe gazetarë dhe media të tjera, pushteti po synon të çojë mesazh te gazetarët, mediat tjera.

Pra, asgjë nuk është e rastësishme – siç nuk janë të rastësishme as reagimet lokale e ndërkombëtare për veprimet e qeverisë dhe alarmi se po cenohet liria e mediave.

Duke provuar ta ngre çështjen e mediave në nivel të rrezikimit të sigurisë kombëtare, pushteti po synon që t’i delegjitimojë e diskreditojë mediat. Kjo është shumë e rrezikshme.

Në kohën kur Vetëvendosja ishte në opozitë, gazetarë dhe media të njëjta kanë publikuar dhjetëra skandale të partive në pushtet. Atëbotë mediat dhe gazetarët ishin të mirë. Skandalin “Pronto” e zbuluan mediat, jo Vetëvendosja.

Kanë vlerësuar gabim njerëzit e pushtetit nëse kanë menduar se pavarësisht çka bëjnë e si veprojnë, do ta kenë mbështetjen e mediave dhe të shoqërisë civile. Kanë menduar gabim nëse kanë pritur që mediat dhe shoqëria civile do të duartrokasin çdo veprim e vendim të tyre.

Në vend që të merren me gazetarë dhe media, pushteti duhet të merret me thelbin, me përmbajtjen e përgjimeve që janë publikuar në Nacionale. Qytetarëve duhet sqaruar nëse ato pretendime në përgjime janë të vërteta – por me prova, jo me propagandë.

Beteja me mediat është e humbur dhe këtë e di mirë qeveria dhe Albin Kurti. Por, qëllimi i tyre është i qartë: pra, diskreditimi i mediave dhe gazetarëve dhe armiqësimi me militantët dhe simpatizantët e tyre.

Reagimi i militantëve dhe simpatizantëve në platformat sociale dëshmon se ky qëllim po arrihet. Por qëllimi për t’i mposhtur, nënshtruar mediat e gazetarët nuk arrihet kurrë.

Gazetarët mbajnë mend të gjitha qeveritë, kryeministrat dhe ministrat tash njëzet vjet. Pushtetet shkojnë e vijnë. Mediat dhe gazetarët mbeten.