string(49) "unai-emery-perplaset-me-lojtarin-e-tij-ezri-konsa"

Futboll

Gazeta Express

04/05/2025 11:19

Unai Emery përplaset me lojtarin e tij Ezri Konsa

Futboll

Gazeta Express

04/05/2025 11:19

Trajneri i Aston Villa, Unai Emery, është përfshirë në një debat të tensionuar me një nga lojtarët e tij gjatë fitores 1-0 kundër Fulham, në një ndeshje vendimtare për garën në Champions League.

Megjithëse Villa arriti tri pikë të vlefshme falë golit të Youri Tielemans, episodi më i përfolur i pasdites ndodhi në minutën e 53-të, kur Fulham iu afrua barazimit.

Një kros i Alex Iwobi u kap nga Harry Wilson, duke e kapur në befasi mbrojtjen e Aston Villas, veçanërisht Ezri Konsa dhe Pau Torres. Fatmirësisht për Villën, goditja e Wilson u ndalua nga portieri Emi Martinez.

Por ky moment nuk i shpëtoi syrit të Emery, i cili shpërtheu me nervozizëm në vijën anësore dhe u pa duke bërtitur drejt Konsës. Sipas raportimit të TNT Sports, Konsa reagoi ndaj kritikave të trajnerit, duke bërë që tensioni të përshkallëzohej edhe më shumë mes palëve.

Lucy Ward, komentatore në TNT Sports, tha:

“Unai Emery është shumë i pakënaqur. Ai është duke bërtitur në vijën anësore, e ka shumë të qartë që mbrojtja e tij nuk është në nivelin e duhur.”

Ndërsa bashkëkomentatori Darren Fletcher shtoi se Konsa u duk i frustruar nga reagimi i trajnerit dhe i ishte kthyer atij në mënyrë të dukshme.

Pas ndeshjes, Emery nuk u përpoq ta zbutë situatën dhe shpjegoi në intervistë se nuk pranon aspak mungesë serioziteti në momente vendimtare të ndeshjes.

“Folëm këtë javë për rëndësinë e të luajturit me përqendrim për 90 minuta. Secili lojtar duhet të ndihet rehat me planin tonë të lojës. Por nëse dikush relaksohet qoftë edhe pak, jemi më afër humbjes,” tha Emery.

“Në pushim u thashë: ‘Nuk mund ta pranoj!’. Nuk mund ta pranoj mënyrën si po menaxhonim ndeshjen në disa momente.”

Pavarësisht fitores dhe garës së fortë për vendet e para, duket se tensionet në skuadër janë të pranishme dhe Emery nuk heziton të mbajë standarde të larta deri në fund të sezonit. /GazetaExpress/