Gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ai zëvendëson në krye të KFOR-it gjeneralmajorin italian, Enrico Barduanin, i cili më 11 tetor 2024 kishte marrë udhëheqjen e misionit pikërisht nga gjenerali Ulutash.
“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të përmbushur misionin tonë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Do ta bëjmë këtë përmes aktiviteteve të ndryshme në terren, por edhe përmes mbështetjes tonë të fuqishme për dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që është rruga drejt stabilitetit”, tha Ulutash.
Ulutash falënderoi paraardhësin e tij për punën e bërë dhe tha se është i gatshëm që të punojë drejt konsolidimit të mëtejmë me autoritetet e Kosovës.
“Llogaris në vazhdimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre respektive të sigurisë”, tha Ulutash.
Komandanti i 30-të i KFOR-it tha se misioni ka prani në mbarë Kosovën dhe “është i gatshëm të trajtojë çdo zhvillim të sigurisë”.
Ulutash tha se prioritet mbetet që të përmbushet misioni i KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjet për të gjitha komunitetet.
Kjo është hera e dytë që KFOR-i udhëhiqet nga një komandat turk.
Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.
Karriera e tij ushtarake nisi pasi e përfundoi shkollën e mesme ushtarake më 1985 dhe Akademinë ushtarake në vitin 1989.
Që nga viti 2021 ka shërbyer si drejtor për strategji në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë, ndërsa më parë kishte qenë komandant i përgjithshëm i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi.
Më parë, Ulutash kishte mbajtur edhe pozita të tjera ushtarake, si: zëvendëskomandant i sektorit të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Norfolk, drejtor i Qendrës për Studime Historike Ushtarake në Ankara dhe zëvendëskomandant i Garnizonit të Brigadës së 28-të të Këmbësorisë së Mekanizuar.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në KFOR aktualisht janë 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete./REL/