Gjatë javës së shtatë të këtij viti, në Maqedoni u raportuan 1.150 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, dhe krahasuar me javën e kaluar (1.306 raste), përbën rënie prej 11.9 përqind, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në raportin e tij të fundit, transmeton Portalb.mk.
Numri i rasteve të raportuara këtë javë është dukshëm më i ulët se e njëjta periudhë e sezonit të kaluar, kur u regjistruan 2.726 raste, që është një rënie prej 57.8 përqind.
Analiza sipas grupmoshës tregon se numri më i madh i pacientëve, 621 persona, janë të moshës 15 deri në 64 vjeç. Pas tyre vijnë 229 fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 157 fëmijë nga 0 deri në 4 vjeç dhe 143 persona mbi 65 vjeç.
Që nga fillimi i sezonit 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin ka arritur në 13.871.
Shumica e rasteve u regjistruan në janar – 9.135 raste, në shkurt u raportuan 2.456 raste, në dhjetor pati 1.324 raste, dhe një numër dukshëm më i vogël rastesh u regjistruan në nëntor – 438 dhe në tetor 338 raste.
Të dhënat tregojnë se sezoni arriti kulmin në janar, pas së cilës numri i rasteve u ul gradualisht. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë apel për respektimin e masave parandaluese, veçanërisht tek qytetarët më të rinj dhe të moshuar, të cilët janë kategoritë më të rrezikuara.
tag_katrorimaqedoni_2