Trajtimi i fëmijëve është ende një sfidë serioze, nuk ka programe specifike për të rinjtë në institucionet shëndetësore, po ashtu edhe Programi për kujdes shëndetësor për vitin 2024, konfirmon se vërehet një trend shqetësues i uljes së moshës së përdorimit të parë të substancave psikoaktive, përcjell Gazeta Express nga Koha.mk
Kufiri i moshës për adoleshentët që përdorin substanca narkotike është në ulje. Analiza e Avokatit të Popullit, ka vënë në dukje të dhëna shqetësuese për trendin, por edhe të mungesës së kujdesit të koordinuar institucional. Trajtimi i fëmijëve është ende një sfidë serioze për vendin, nuk ka programe specifike për të rinjtë në institucionet shëndetësore, po ashtu edhe Programi për kujdes shëndetësor për vitin 2024, konfirmon se vërehet një trend shqetësues i uljes së moshës së përdorimit të parë të substancave psikoaktive.
Mungesa e koordinimit pasqyrohet tek shifrat që kanë në dispozicion qendrat e kujdesit dhe policia. Nëse qendrat sociale evidentuan 50 fëmijë, të dhënat e MPB-së tregojnë shifra shumë dyshish më të larta 130 fëmijë gjatë të njëjtës periudhë (viti 2023 dhe gjysma e vitit 2024). Sipas përkatësisë etnike të fëmijëve që përdorin drogë dhe substanca të tjera psikotrope, numri më i madh i fëmijëve janë maqedonas, të ndjekur nga shqiptarë dhe një numër më i vogël fëmijësh nga komuniteti rom, turk dhe serb. Llojet më të zakonshme të drogave që përdoren nga fëmijët janë marihuana dhe amfetamina, dhe më rrallë ekstazia dhe heroina. Fëmijët e identifikuar si përdorues nën përkujdesje në Institucionin Publik për Përkujdes të Fëmijëve -Shkup më shpesh përdorin amfetaminë, kanabis, ekstazë dhe përkohësisht kokainë, ndërsa fëmijët e vendosur në Entin Edukues – Korrektues Tetovë shpesh janë përdorues të marihuanës, heroinës apo kokainës. Në të dy institucionet mungon Programi për punë me fëmijët që përdorin droga dhe lloje tjera të substancave psikotrope.
“Fëmijët që përdorin droga, ne i mbështesim përmes sportit, ekskursioneve, aktiviteteve në ambiente të hapura dhe ju ofrojmë biseda këshilluese, por për përforcimin e rehabilitimit të tyre, na duhen trajnime të specializuara dhe programe të përshtatshme për rehabilitim dhe risocilalizim”, dekalrojnë nga Enti i Tetovës. Në janar të vitit të kaluar u realizua Vlerësim i Strategjisë Kombëtare për Drogat 2021-2025 dhe Planit të Veprimit për Drogat 2021-2023, por Avokati i Popullit konstaton se nuk është filluar asnjë aktivitet me zbatimin e tij, dhe rrjedhimisht nuk ka as rezultate.
“Gjetjet e deritanishme tregojnë se sistemi për parandalimin, zbulimin e hershëm, trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve që përdorin droga nuk është i zhvilluar mjaftueshëm dhe nuk siguron mbështetje në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Mungojnë programe të specializuara trajtimi, nuk ka protokolle të qarta për trajtimin e tyre, kapacitetet institucionale në sistemet shëndetësore dhe sistemi i mbrojtjes sociale janë të kufizuara. Ky fenomen po bëhet një problem në rritje, veçanërisht tek fëmijët dhe kërkon një përgjigje urgjente dhe të koordinuar nga profesionistët shëndetësor, politikëbërësit dhe të gjithë të interesuarit”, rekomandon Analiza.
Sipas ESPAD – Hulumtim Evropian në Shkolla mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera, hulumtimet e kryera në vitet 1999, 2008, 2015 dhe 2019 tregojnë se të rinjtë përdorin më shpesh kanabis. Në të njëjtin hulumtim theksohet se vitet e fundit ka pasur një rritje të lehtë të nivelit të përdorimit të kanabisit tek nxënësit e moshës 15-16 vjeç nga 4,5 për qind në vitin 1999, deri në 6,1 për qind.