Një sulm rus në qytetin juglindor të Zaporizhisë në Ukrainë vrau tre persona dhe plagosi dy të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas.
“Mëngjesi i së hënës në Zaporizhzhia filloi me shpërthime dhe zjarre,” shkroi Guvernatori Ivan Fedorov në Telegram, përcjell A2.
Ai tha se forcat ruse përdorën të paktën 10 bomba ajrore në sulmin ndaj qytetit me rreth 700 000 banorë. Sulmi dëmtoi 15 ndërtesa apartamentesh dhe 10 shtëpi private, si dhe ndërtesa jo-rezidenciale, tha ai. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 132 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës dhe regjistruan goditje të nëntë dronëve në shtatë vende.
Në rajonin verilindor të Sumy, sulme të ndryshme me dronë plagosën dy persona gjatë së dielës, përveç dëmtimit të infrastrukturës civile dhe shtëpive private, tha Guvernatori Oleh Hryhorov. Sulmi në rajonin e Kievit plagosi një person dhe dëmtoi ndërtesa apartamentesh dhe shtëpi private, sipas shërbimeve të emergjencës.
Sakaq, në Perëndim çdo gjë po ndryshon. Duke pasur parasysh situatën politike globale, dhe provokimet e fundit me dronë nga ana e Rusisë në Poloni dhe Estoni, kërkesa private për bunkerë të vegjël është rritur. Prodhuesi BSSD Defence ka parë një rritje prej 50 përqind të kërkesave që nga janari, citon media gjeman “Bild”.
Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Mario Piejde, më shumë se gjysma e pyetjeve vijnë nga kompani dhe pronarë. “Kompanitë na telefonojnë sepse duan bunkerë për punonjësit e tyre në ambientet e tyre”. Pronarët e shtëpive po pyesin gjithashtu për strehimore për qiramarrësit e tyre. Piejde i tha gazetës se ka pasur një numër të madh pyetjesh, veçanërisht pas provokimeve të fundit me dronë nga ushtria ruse në hapësirën ajrore polake.
Qendra Gjermane e Strehimit në Mynih konfirmoi gjithashtu një rritje të ndjeshme të kërkesës për strehimore të vogla. “Sidomos pas ngjarjeve aktuale në Poloni, kemi parë një kërkesë në rritje për takime konsultimi”, citoi Bild të thoshte një zëdhënës.