Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë një marrëveshje për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e saj të rralla dhe të çmueshme, me shpresën se Uashingtoni do të vazhdojë ta mbështesë Kievin në luftën e gjatë kundër Rusisë, thanë të mërkurën zyrtarë të lartë ukrainas.
Ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, udhëtoi të mërkurën në Uashington për të ndihmuar në përmbylljen e marrëveshjes, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, në televizionin ukrainas.
Megjithëse për pjesën kryesore të marrëveshjes është arritur pajtueshmëria, kanë mbetur edhe disa pengesa për t’u kapërcyer, tha një zyrtar i lartë ukrainas në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje, raporton Associated Press.
Për Ukrainën, marrëveshja shihet si shumë e rëndësishme për sigurimin e ndihmës ushtarake amerikane edhe në të ardhmen.
“Vërtetë, kjo është një marrëveshje strategjike për krijimin e një fondi partner investimesh”, tha Shmyhal.
“Kjo është një marrëveshje e barabartë ndërkombëtare dhe e mirë për investime të përbashkëta në zhvillimin dhe rindërtimin e Ukrainës midis Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës”, shtoi ai.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte shprehur në shkurt dëshirën për të pasur qasje në mineralet e rralla të Ukrainës si kusht për mbështetjen e mëtejshme të Kievit në luftë kundër Rusisë, duke e përshkruar atë si një formë rimbursimi për ndihmën në vlerë miliarda dollarë që SHBA-ja i ka dhënë Kievit.
Por, bisedimet ngecën pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale mes liderëve amerikanë dhe ukrainas, dhe prej atëherë arritja e një marrëveshjeje ka qenë e vështirë dhe ka tensionuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit.
Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, tha të mërkurën gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë se administrata Trump është e gatshme ta nënshkruajë marrëveshjen, por se ende ka punë për t’u bërë.
“Ukrainasit vendosën mbrëmë të bënin disa ndryshime në momentin e fundit”, tha Bessent kur u pyet për raportimet se Ukraina është e gatshme ta pranojë marrëveshjen.
“Ne jemi të sigurt se ata do ta rishqyrtojnë këtë. Dhe, ne jemi të gatshëm ta nënshkruajmë këtë pasdite, nëse ata janë”, shtoi ai.
Ai nuk dha hollësi për ndryshimet që Ukraina thuhet se ka bërë.
SHBA-ja kërkon qasje në më shumë se 20 minerale cilësuara si strategjikisht jetike për interesat e saj, përfshirë disa që nuk janë minerale, si nafta dhe gazi natyror. Ndër to janë depozitat e titanit të Ukrainës, që përdoren për ndërtimin e krahëve të avionëve dhe në industrinë ajrore, si dhe uraniumi, i përdorur për energji bërthamore, pajisje mjekësore dhe armë.
Ukraina gjithashtu ka litium, grafit dhe mangan, të cilët përdoren në bateritë e automjeteve elektrike.
Pasi Kievi e konsideroi draftin fillestar të marrëveshjes si më shumë në favor të interesave amerikane, ai prezantoi klauzola të reja për t’i adresuar këto shqetësime.
Sipas Shmyhal, versioni më i fundit do të krijonte një partneritet të barabartë midis dy vendeve dhe do të zgjaste për 10 vjet.
Kontributet financiare në fondin e përbashkët do të jepeshin në para, dhe vetëm ndihma e re ushtarake amerikane do të llogaritej për pjesën e SHBA-së. Ndihma e dhënë para nënshkrimit të marrëveshjes nuk do të përfshihej. Për dallim nga drafti i mëparshëm, marrëveshja nuk do të ishte në kundërshtim me rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – një kusht kyç për Kievin.
Kabineti ukrainas pritet ta aprovojë tekstin e marrëveshjes para se ajo të mund të nënshkruhet në Uashington. Më pas marrëveshja do duhet të ratifikohet nga Parlamenti i Ukrainës për të hyrë në fuqi. /REL