Ukraina nën sulme masive ruse dhe shpresën për ndihma shtesë - Gazeta Express
string(60) "ukraina-nen-sulme-masive-ruse-dhe-shpresen-per-ndihma-shtese"

Lajme

Gazeta Express

10/07/2025 10:11

Ukraina nën sulme masive ruse dhe shpresën për ndihma shtesë

Lajme

Gazeta Express

10/07/2025 10:11

Sulme masive ruse ndaj Ukrainës. Ndërkohë Presidenti i SHBA-së, Trump po shqyrton mundësinë e furnizimit të Kievit me sisteme shtesë Patriot. Edhe në Konferencën e Rindërtimit në Romë Ukraina pret ndihma.

Ushtria ruse sulmoi përsëri Ukrainën gjatë natës të enjten (10.07.) me dronë dhe raketa. Sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me 18 raketa dhe rreth 400 dronë. Ky ishte numri më i madh i sulmeve me dronë që nga fillimi i luftës. Një nga objektivat e sulmit ishte aeroporti ushtarak pranë Vasilkivit, në jug të Kievit, sipas vëzhguesve ushtarakë. Paralajmërime për sulme ajrore u lëshuan në më shumë se gjysmën e Ukrainës. Forcat Ajrore Ukrainase kishin paralajmëruar për afrimin e raketave dhe dhjetëra dronëve luftarakë. Të paktën dy persona u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën, siç shkroi në Telegram drejtori i administratës ushtarake Tymur Tkaschenko.

SHBA shqyrton mundësinë e dërgimit të sistemeve të tjera “Patriot”

Pas sulmeve masive ajrore ruse, SHBA dhe aleatët po sinjalizojnë gatishmëri për t’i ofruar ndihmë të mëtejshme Kievit. Sipas PresidentitDonald Trump, SHBA-të do të shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot.

I pyetur nëse mund ta konfirmonte këtë, Presidenti Trump tha: “Ata (ukrainasit) do të donin ta kishin. Dhe e kanë kërkuar.” Trump shtoi, se “do të duhet ta shqyrtojmë.” Është një sistem shumë, shumë i shtrenjtë.” Sistemi raketor mbrojtës nga ajri “Patriot” i prodhuar në SHBA është një nga më modernët në botë. Por SHBA-të vazhdojnë të mbajnë kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, planifikojnë të takohen në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Edhe shtetet mbështetëse të Kievit, pjesë e të ashtuquajturit Koalicion i të Vullnetshmëve, duan të diskutojnë ndihmën e mëtejshme për Ukrainën të enjten në një video-konferencë, në të cilën planifikon të marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas Zelensky.

Kancelari Friedrich Merz, i cili gjithashtu do të marrë pjesë, kishte njoftuar më parë se do të diskutohej mbështetja e mëtejshme për Ukrainën për të përmirësuar mbrojtjen e saj ajrore. “Në veçanti, pritet të merren vendime mbi sistemet e mëtejshme të mbrojtjes ajrore, unë gjithashtu do të bëj oferta të përshtatshme që mund t’i zbatojmë nga Gjermania”, tha Merz. Videokonferenca zhvillohet në margjinat e Konferencës së Rindërtimit në Romë.

Konferenca e Rindërtimit në Romë

Një konferencën dy-ditore për Ukrainën fillon në kryeqytetin italian, Romë, e organizuar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Mbështetësit e Ukrainës duan ta ndihmojnë vendin me një fond europian rindërtimi. Edhe Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Keith Kellogg kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre në konferencë me fokus tek perspektiva për Ukrainën pas përfundimit të luftës. Pjesëmarrës në Konferencë është edhe kancelari gjerman,  Friedrich Merz,  por edhe përfaqësues nga Polonia, Franca.

Synimi i konferencës është përqendrimi i vëmendjes tek mbështetja ekonomike, “sepse rindërtimi nuk është i mundur pa një ekonomi të fortë”, tha Ministrja gjermane e Zhvillimit Reem Alabali Radovan (SPD) në Romë para konferencës për vendin e shkatërruar nga lufta. “Dhe kjo është arsyeja pse ne tani po lançojmë një Fond Evropian për Rindërtimin e Ukrainës. Do ta prezantojmë sot. Bëhet fjalë për sigurimin e mbështetjes ekonomike për Ukrainën me fonde private dhe publike”, tha Alabali Radovan.

Diskutimet do të përqendrohen edhe në mënyrën e mbështetjes së rindërtimit të infrastrukturës së shkatërruar, siç janë rrugët, urat dhe termocentralet tani. Takimi në Romë nuk është një konferencë tradicionale donatorësh që synon mbledhjen e fondeve. Fokusi është në krijimin e rrjeteve më të mira mes politikës, biznesit dhe sektorëve të tjerë. Ky është takimi i katërt i këtij lloji. Takimet e mëparshme janë zhvilluar në Zvicër dhe Britaninë e Madhe, si dhe një vit më parë në Berlin./DW/