Në një kohë kur duket se presidenti amerikan Donald Trump është tërhequr nga planet për të forcuar sanksionet kundër Rusisë, Ukraina do t’i kërkojë javën e ardhshme Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa të rinj për izolimin e saj, përfshirë sekuestrimin e pasurive ruse dhe vendosjen e sanksioneve për disa blerës të naftës ruse.
Sipas Reuters, Ukraina ka përgatitur një dokument 40-faqësh, që do t’i paraqitet BE-së, me thirrje për një qasje më agresive dhe të pavarur ndaj sanksioneve.
Bëhet e ditur se propozimet përfshijnë miratimin e legjislacionit që do të përshpejtojë sekuestrimin e pasurive nga individë të sanksionuar dhe dërgimin e tyre në Ukrainë — ndërkohë që ata mund të kërkojnë kompensim më pas nga Rusia.
Gjithashtu raportohet se Ukraina do të kërkojë nga BE-ja të zgjasë efektin e sanksioneve përtej territorit të saj, duke përfshirë kompanitë e huaja që përdorin teknologji evropiane për të ndihmuar Rusinë, si dhe vendosjen e “sanksioneve sekondare” për blerësit e naftës ruse. Masa këto që mund të prekin vende si India dhe Kina, deri më tani një hap që BE e ka shmangur.
Sipas Reuters, mësohet se pas bisedës me presidentin rus Putin, presidenti amerikan Trump ka vendosur që të mos vendosë sanksione të reja për momentin ndaj Rusisë, duke u thënë aleatëve evropianë dhe ukrainas se donte t’i jepte kohë negociatave.
Megjithatë, BE dhe Britania kanë vazhduar me planet për sanksione më të gjera, duke miratuar të martën një raund të ri, ndërkohë që kanë paralajmëruar se po përgatiten për një paketë të radhës, edhe nëse SHBA tërhiqet nga loja.