Zyra e prokurorit dhe shërbimet e sigurisë në Ukrainë kanë kërkuar nga autoritetet iraniane që t’ua dorëzojnë kutitë e zeza të aeroplanit të rrëzuar javën e kaluar afër aeroportit të Tehranit.
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë tha këtë javë se një hetues iranian pritet ta vizitojë Ukrainën së shpejti për të vlerësuar nëse një laborator i këtij shteti është i përshtatshëm për t’i analizuar kutitë e zeza të aeroplanit.
Aeroplani i kompanisë “Ukraine Interantional Airlines” ishte rrëzuar disa minuta pasi ishte ngritur në qiell nga aeroporti i Tehranit të mërkurën e javës së kaluar. Të gjithë 176 personat që ndodheshin në të e humbën jetën.
Irani ka thënë se aeroplani është rrëzuar aksidentalisht dhe njoftoi për arrestimin e disa personave në lidhje me këtë rast.
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se hetimet për këtë aksident do të zhvillohen nga një gjykatë speciale. “Ky nuk do të jetë një rast i zakonshëm. E tërë bota do ta përcjellë punën e kësaj gjykate”, tha ai gjatë një fjalimi.
Irani fillimisht kishte mohuar se aeroplani është goditur nga raketa, por më vonë pranoi se aeroplani u rrëzua përmes sistemit të mbrojtjes ajrore, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.